Zgjedhjet në Turqi/ Erdogan fitore si e Pirros, humb Ankaranë e Stambollin

0
585

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka arritur një fitore shumë më të vogël nga sa pritej në zgjedhjet lokale të së dielës, teksa partia e tij islamike Drejtësi e Zhvillim (AKP) po sfidohet gjithnjë e më shumë nga rritja e opozitës Republikane laike CHP. Humbja e AKP në Ankara ndaj kandidatit republikan të CHP, Mansur Yavas, shkaktoi valë tronditjeje në vend dhe AKP tha se do të apelojë vendimin. Kandidatët e partisë në pushtet kanë fituar në rang kombëtar më shumë se 52 për qind të votave, me një pjesëmarrje të angazhuar prej 85 %. Por Stambolli ishte mbrëmë ende në ethet e pritjes së rezultateve të një gare të fortë, por kandidati i opozitës Ekrem İmamoglu vazhdonte të ruante një avantazh të vogël ndaj kandidatit të AKP, ish-kryeministrit Binali Yıldırım, kur ishin numëruar rreth 98.8% për qind të votave. Zgjedhjet konsiderohen si një test i politikave të reja të nacionalizmit agresiv të Erdogan, sidomos pas pushtetit të shtuar të tij me reformën presidenciale. Presidenti fluturoi dje nga Stambolli drejt Ankarasë për t’u takuar me Yıldırım. Ndërsa opozita thotë se e ka mundur partinë e Erdogan edhe në qytete të tjera, përveç tri qyteteve më të mëdha të vendit. Misioni i Vëzhgimit të Këshillit të Evropës në zgjedhjet lokale në Turqi, tha se nuk ishte “plotësisht i bindur” se Turqia kishte një mjedis të lirë dhe të ndershëm zgjedhor. Andrew Daëson, i cili udhëhoqi misionin, i bëri thirrje qeverisë turke të respektojë rezultatet e zgjedhjeve, veçanërisht në krahinat me shumicën kurde, pasi që nga viti 2016 qeveria ka zëvendësuar zyrtarët e zgjedhur në 95 komuna të tilla për lidhje të dyshuara me militantët e jashtëligjshëm kurdë.

Imamoglu shpall veten kryebashkiak të Stambollit

Duke folur në një konferencë për media në Ankara, lideri i Partisë Popullore Republikane, Kemal Kilicdarouglu, ka thënë se kandidatët e partisë së tij kanë fituar në Ankara, Stamboll dhe Izmir.  Sipas tij, kjo parti ka fituar edhe në qendra tjera duke e mposhtur partinë e presidentit Erdogan. “E di se kemi fituar në Stamboll, është shumë e qartë”, ka thënë kandidati i kësaj partie Ekrem Imamoglu, duke shtuar se fitoren e ka konfirmuar kryetari i Bordit të Zgjedhjeve. Ai ka shtuar se fitorja e tij është arritur falë 16 milionë banorëve të Stambollit. “Kryetari i Bordit Suprem të Zgjedhjeve gjithashtu konfirmoi se ne i fituam zgjedhjet. Ne të gjithë fituam së bashku, falë gjithë atyre që kontribuan dhe 16 milionë banorëve të Stambollit që na dhanë zemrat” ka shkruar ai në Twitter. Kandidati i pushtetit për Stambollin, Yıldırım refuzonte të dorëzohej duke cituar sipas tij, rreth 300,000 vota të  pavlefshme për CHP, të cilat mund të rikthejnë fitoren për AKP. Rezultatet zyrtare mund të kërkojnë disa ditë për t’u konfirmuar. Opozita kishte parashikuar rritjet e saj megjithë pengesat e mëdha që sipas saj ishin mediat e njëanshme të qeverisë, akuzat e manipulimit të votave nga AKP dhe një fushatë arrestimesh të zyrtarëve të opozitës në rajonet kurde në juglindje të vendit.

AKP ankimon humbjen në Ankara

Partia e presidentit turk, AKP, ka njoftuar dje se pret që rezultati i zgjedhjeve për qytetin e Ankarasë të ndryshojë në favor të tyre pas dorëzimit të ankesave, ndonëse kandidati i partisë opozitare e ka fituar numrin më të madh të votave. Partia e Erdoganit i ka pësuar disa humbje në zgjedhjet lokale të së dielës pasi e humbi pushtetin në Ankara për herë të parë që nga themelimi i partisë në vitin 2001 dhe pritet që të shënojë humbje edhe në Stamboll. Gjatë një konference për gazetarë në Ankara, sekretari i përgjithshëm i partisë AKP, Fatih Sahin, tha se partia e tij do të bëjë ankesë për rezultatin e zgjedhjeve për secilën zonë të kryeqytetit turk. Ai tha se AKP-ja do të shënojë përparim të dukshëm si rezultat i këtyre ankesave. Agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu, ka njoftuar se kandidati i opozitës për kryetar të Stambollit tash për tash ka epërsi prej 0.28 për qind ndaj kandidatit të partisë së Erdoganit, kur janë numëruar 99.8 për qind e votave.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here