Gazmend Paja, Laura Nezha dhe Visjan Ukcenaj, në teatrin Eksperimental

    0
    439

    Komedia franceze “Darka e lamtumirës” do të rikthehet për publikun në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Vepra me regji nga Kiço Londo do të jetë në skenë mbrëmjen e së mërkurës dhe të enjtes. Në role vijnë tre aktorë të njohur dhe të vlerësuar nga publiku. Kjo është një vepër e krijuar nga autorët francezë Matthieu Delaporte dhe Alexandre de la Patelliere. Vetë teatri shkruan se është një komedi franceze, që nuk duhet humbur. “Mos mungoni! 3 dhe 4 prill ora 20:00 në Teatrin Kombëtar Eksperimental vjen komedia “Darka e lamtumirës”. Me Gazmend Paja, Laura Nezha dhe Visjan Ukcenaj, që do ju sjellin një shfaqje që nuk duhet humbur”, shprehet teatri. Kjo shfaqje depërton në historinë e dyshes Pierre e Clotilde, të cilët përpara se të marrin pjesë në darkën e radhës që nuk e kanë me qejf të shkojnë, marrin një vendim: Të spastrojnë shoqëritë e konsumuara. Kështu, ata do të organizojnë një darkë lamtumire, që është një përzierje homazhi e lehtësimi për miqtë që do të dalin nga jeta e tyre. Viktima e parë do të jetë pikërisht miku i tyre prej vitesh, Antoine Royer. Por, midis Pierres që është burracak e i mefshtë dhe Clotildes së paparashikueshme e mikut të çuditshëm, gjërat do të dalin jashtë kontrollit dhe darka nuk do të shkojë siç ishte planifikuar prej tyre. Për të zbuluar më shumë mbi rrjedhën e ngjarjeve dhe a do të ketë një lamtumirë të vërtetë në këtë darkë publiku do ketë mundësinë ta shijoj duke parë shfaqjen “Darka e lamtumirës”. Më herët aktorja Laura Nezha është shprehur se Clotilde roli që i ka besuar regjisori Kiço Londo është i këndshëm. Mbi të gjitha te personazhi që ajo sjell në shfaqje, sipas saj është autoriteti që spikat “ Clotilde edhe përpiqet që të ekuilibrojë situatën për të shpëtuar edhe marrëdhënien e saj. Autoriteti është ajo që spikat tek Clotilde, iniciativa për vendimmarrje, dominanca në çift. Është një personazh shumë i këndshëm që vendoset në një trekëndësh marrëdhënieje mes dy miqsh dhe pozicionohet si ajo që duhet të ekuilibroje situatën për të shpëtuar në një farë mënyre marrëdhënien e saj”, u shpreh aktorja Laura Nezha.

    Komedia pjesë e teatrit të rajonit

    Komedia “Darka e lamtumirës” është gjithashtu pjesë e teatrit të rajonit. Publiku ka mirëpritur lojën e aktorëve në vepër edhe në skena të tjera në qytete të ndryshme të vendit për të përcjellë ngjarjen e shkruar nga autorë francezë. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ka nisur mbrëmjen e së hënës projektin “Shtatë për shtatë”. Kjo do të thotë që do të ketë shfaqje për të rritur në mbrëmje në teatër në të gjitha ditët e javës, duke filluar nga e hëna deri të dielën. Drejtori i teatrit Kiço Londo është shprehur se në themel të projektit “Shtatë për shtatë” qëndrojnë shfaqjet e teatrit të rajoneve. Projekti nis mbrëmjen e së hënës dhe drejtori Londo tregon se janë në skenë veprat, që janë shkruar nga autorë të njohur duke filluar me komedinë “Boeing Boeing”. Projekti “Shtatë për shtatë” sipas drejtorit të Teatri Kombëtar Eksperimental Kiço Londo vjen në vijim të punës që bëhet në teatër për të sjellë veprat teatrore para publikut. Sipas tij, Teatri Eksperimental kërkon vazhdimisht të hapet, kërkon rrugë dhe shtigje të reja. “Teatri kërkon mënyra të reja komunikimi me publikun dhe regjisorët e aktorët e rinj”, tregon drejtori Londo. Duke folur më tej për teatrin e rajonit ai shprehet se është me rëndësi për jetën artistike në vend.

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here