Ngërçi i krijuar me ngritjen e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë duket se u zgjidh. ILD është organi që merret me hetimin dhe inspektimin e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kur vërehen shkelje, atëherë merre masa disiplinore deri në shkarkimin e tyre. Por deri tani ky proces pune ishte i bllokuar se për Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë kishin aplikuar vetëm dy emra: Marsida Xhaferllari dhe Artur Malaj. Por në kushtet kur ligji thotë që ILD duhet të ketë minimumi pesë anëtarë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi u detyrua të rihapë garën për një numër më të madh kandidatësh. Teksa sot është afati i fundit për të aplikuar, gazeta mësoi se deri tani janë regjistruar 6 aplikime. Më konkretisht, për në ILD kanë aplikuar Marsida Xhaferllari, për të cilën Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk dha asnjë vendim sepse nuk kishte statusin e magjistratit, por as nuk e konfirmoi në detyrë.
Kandidat është edhe anëtari i Gjykatës Administrative, Artur Malaj, për të cilin është apeluar vendimi pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pavarësisht se KPK-ja e konfirmoi në detyrë, si dhe zonja Lefterie Lleshi, e cila ka qenë kryetare e KQZ. Pas renditjes së kandidaturave nga KED, Parlamenti zgjedh kreun e ILD-së. Inspektorati i Lartë i Drejtësisë duhej të kishte nisur nga puna në qershor të vitit 2017 dhe diçka e tillë nuk është bërë ende e mundur. Kujtojmë që në datën 1 mars, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi njoftoi se janë hapur vakancat për në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, ndërsa bëri publike edhe kriteret dhe dokumentet që duhet të dorëzojnë kandidatët e interesuar. “Të interesuarit duhet të pajisen me këto dokumente: jetëshkrimin e përditësuar, përfshirë adresën postare dhe elektronike, si dhe numër telefoni; fotokopje të kartës së identitetit; deklaratë personale motivimi, ku shpjegon arsyen e kandidimit dhe objektivat që synon të ndjekë nëse emërohet; dokumentacionin shoqërues nëpërmjet të cilit vërteton përmbushjen e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin 147/d të Kushtetutës dhe në nenin 199 të ligjit nr. 115/2016”, thuhet në njoftim. Inspektorati i Lartë i Drejtësisë është një organ shumë i rëndësishëm sepse do të bëjë edhe hetimin për anëtarët e KLP-së dhe të KLGJ dhe do të marrë masa ndaj tyre nëse janë në shkelje të ligjit. Ky institucion mund të nisë hetim edhe për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe të Kushtetueses. Në pritje të ngritjes së ILD janë edhe 183 ankesa të qytetarëve kundër vendimeve të Inspektoratit të Lartë të ish-KLD.