Ngritja e SPAK, Këshilli i Prokurorisë kalon në sitë punën e prokurorëve për 5 vitet e fundit, ja si do vlerësohen dosjet e përzgjedhura

0
342

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të intensifikojë lëvizjet për ngritje e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion ditën e martë. Në përfundim të garës së hapur shfaqen interes për të qenë pjesë e kësaj strukture 27 prokurorë, ndërsa KLP-ja mori përsipër të hartojë një rregullore mbi bazën e së cilës do të përzgjidhen15  anëtarët. Sipas rregullores, KLP po verifikon imtësisht secilin kandidat kryesisht për aftësitë profesionale. Në mbledhjen e të martës do të diskutohet edhe për mënyrën se si do të vlerësohen prokurorët për aftësitë profesionale. KLP ka përzgjedhur dosje të secilit kandidat për të parë se si e ka trajtuar çështjen dhe a ka shkelje. Kështu drafti përcakton se kandidati vlerësohet me kualifikim të lartë në hetimin dhe përdorimin e teknikave të posaçme kur ka hetuar me sukses jo më pak se 5 çështje penale të ndërlikuara ligjërisht ose në fakte, përfshirë përdorimin e metodave të avancuara të hetimit dhe qasjen proaktive. Kandidati vlerësohet me kualifikim të mesëm në hetimin dhe përsosjen e taktikave të posaçme kur ka hetuar me sukses jo më pak se 3 çështje penale të ndërlikuara ligjërisht.

Kandidati vlerësohet me kualifikim të ulët në hetim kur ka hetuar me sukses të paktën 1 çështje të ndërlikuar. Komisioni shqyrton listën e çështjeve të hetuara nga kandidati gjatë 5 viteve të fundit, duke filluar nga data e aplikimit, të cilat kanë pasur të arrestuar dhe janë mbyllur me vendime pushimi, shfuqizimi, shpalljen e mos kompetencës dhe çdo çështje tjetër të hetuar gjatë karrierës që ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Emrat e kandidatëve pritet t’i kalojnë me urgjencë institucioneve të posaçme të vetingut dhe vetëm pas fjalës së fundit të tyre do të emërohen në postet e larta. Megjithatë, duket qartë se ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion do të bëhet shumë shpejt, pasi përmes hetimeve të tij që bën Këshilli i Lartë i Prokurorisë, do të lehtësohet puna dhe shkurtohet koha e procesit të vetingut për secilin nga 27 kandidatët, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka më të thjeshtë vlerësimin për ta. Sidoqoftë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here