Mediat italiane vlerësojnë Strakoshën si 23-vjeçarin më të mirë, Greqia “puç” Panuçit për Durmishajn

0
376

Lojtarët e përfaqësueses tonë patën një fundjavë të spikatur me skuadrat e tyre në Serinë A italiane, ku veçohet portieri Thomas Strakosha, i cili bëri një paraqitje të nivelit të lartë dhe siguroi një notë shumë të lartë në duelin derbi që Lacio fitoi ndaj Romës me rezultatin 3-0. Ishte dita e Strakoshës, pasi dha kontributin e tij në këtë takim, duke qenë pengesë e pakapërcyeshme për sulmuesit e Romës dhe në fund ia doli ta mbajë portën e tij të paprekur, duke merituar lëvdatat në shtypin sportiv italian. Siç dihet, Lacio arriti që këtë fundjavë të fitonte derbin përballë Romës me rezultatin e pastër 3-0. Ashtu siç edhe pritej, titullar në portë për Lacion ishte gardiani Thomas Strakosha i cili u tregua vendimtar me disa pritje të tij, por mesa duket gjërat nuk kanë shkuar shumë mirë për të. Gjatë një aksioni të Romës, Strakosha ka dalë për të ndalur topin por është përplasur me sulmuesin boshnjak Edin Xheko dhe për pasojë ka mbetur i dëmtuar. Stafi mjekësor i Lacios i ka kryer ekzaminimet e duhura futbollistit shqiptar dhe bëhet fjalë për një traumë të pësuar në shpatull. Për fat të mirë, nuk ka pasur zhvendosje të shpatullës që do ta detyronte Strakoshën të mungonte për disa javë. Atij do t’i duhen pak ditë pushim për t’u rikthyer në formacion ku me shumë gjasa, mund të luajë që në ndeshjen e radhës ndaj Firentinës. Ndërkohë, një tjetër vlerësim i madh ka ardhur për portierin tonë kuqezi nga një prej mediave prestigjioze në Itali, siç është “Gazzetta Dello Sport”, e cila e ka përzgjedhur në formacionin e javës dhe si më të mirin për moshën deri në 23 vjeç. “Është Thomas Strakosha fitues i anketës së futbollistit të javës U-23. të Portieri shqiptar i Lacios ishte protagonist me pritjet e tij në fitoren 3-0 në derbin me Romën”, shkruan gazeta e njohur sportive italiane. “Gardiani” kuqezi fitoi konkurrencën e Jeremie Bogas të Sassuolos (bëri paraqitje shumë të mirë ndaj Milanit) dhe të Ignacio Pusetos të Udinezes. Pritjet e Strakoshës i kanë bindur lexuesit se është edhe meritë e tij që Lacio arriti një fitore të thellë në derbi, duke e ruajtur të paprekur portën. Dy janë momentet vendimtare ku spikati Strakosha: në reagimin e tij ndaj goditjes së Edin Xhekos dhe kur arriti të devijonte trajektoren e jashtëzakonshme të Florenzit. Edhe pse flitet për një dëmtim jo të lehtë, stafi mjekësor i Lacios beson se Strakosha do të rikuperohet shpejt, madje ekzistojnë shanset reale që ai të luajë në duelin e fundjavës kundër Fiorentinës.

Grekët “puç” Panuçit për Durmishajn

Një lajm jo i mirë për një prej futbollistëve të Kombëtares tonë vjen nga Greqia, ku mediat sportive helene shkruajnë se Fiorin Durmishaj mund të veshë fanellën bardhekaltër të Greqisë. Në fakt, rastet kur futbollistët shqiptarë zgjedhin një kombëtare tjetër për të luajtur, janë të shumta dhe mesa duket, është radha e Fiorin Durmishajt për t’i dhënë lamtumirën fanellën kuqezi dhe për të luajtur me fanellën e Greqisë. Ish-sulmuesi i Shpresave që po shkëlqen në kampionatin grek me Panioniosin ka të drejtë të zgjedhë mes Shqipërisë dhe Greqisë pasi gëzon dy pasaportat dhe ende nuk ka bërë ndeshje zyrtare. Në një prononcim për mediat greke, vetë trajneri i Greqisë, Angelos Anastasiadis u shpreh se ditët e fundit është takuar me Durmishajn dhe ka folur në lidhje me një grumbullim të mundshëm me Greqinë. Sipas teknikut grek, ka lajme të mira dhe sipas të gjitha gjasave, Durmishaj do të pranojë ftesën e kombëtares helene. “Shpesh herë kam qenë në stadium për ndeshjet e Panioniosit dhe asgjë nuk mund të bëhet pa dëshirën e lojtarit. Kam folur personalisht me futbollin para pak ditësh dhe i kam thënë se jemi të interesuar që ta marrin te Greqia. Megjithëse ka luajtur me Shpresat e Shqipërisë më parë, ai më tha se ka dëshirë që të luajë me fanellën e Greqisë. Ne kemi nisur procedurat pasi ai është shumë pozitiv dhe shpresojmë që të kemi një fund të lumtur. Në këtë mes, problemi nuk është Durmishaj por problem jemi ne vetë”, tha trajneri i Greqisë.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here