Lufta kundër korrupsionit, ja 17 veprat penale që do të jenë në kompetencë të SPAK, pritet reprezalje në politikë

0
474

Prokurorët, gjyqtarët dhe politikanët e korruptuar, duket se nuk do ta kenë aspak të lehtë që t’i shpëtojnë reformës në drejtësi. SPAK pritet që brenda muajit maj të jetë gati, ndërsa janë rreth 17 vepra penale në fushën e korrupsionit që do hetohen e gjykohen nga ky organ. Ndër këto mund të përmenden: Neni 244- Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike. Ky është dhe neni kryesor, përmes të cilit pritet që të dërgohen pas hekurave gjyqtarë, prokurorë, politikanë apo funksionarë të tjerë. Por interesant është fakti se në hetim mund të merren dhe punonjës të huaj. Ndërkohë pjesë e SPAK do jetë dhe neni 245 i Kodit Penal, i cili ka të bëjë me korrupsionin aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë. Një tjetër nen që do të prekë një pjesë të madhe të pushtetarëve dhe zyrtarëve shqiptarë, pasi vetëm nga Kontrolli i Lartë i Shtetit janë kallëzuar gjatë 3 viteve të fundit rreth 500 zyrtarë, është neni 258 që ka të bëjë me abuzimet me tenderët. Në Kodin e Procedurës Penale është hequr dhe një tjetër kompetencë, ajo e korrupsionit të dëshmitarit. Ndërkohë në listë është dhe korrupsioni aktiv apo pasiv i gjyqtarit dhe prokurorit. Kodit të Procedurës Penale i janë bërë ndryshime në nenin 294/a, ku përcaktohet se zyrtarët e korruptuar mund të futen në kurth nga individë të policisë gjyqësore. “Oficeri i policisë gjyqësore ose një person i autorizuar, mund të ngarkohet për të kryer blerje ose shitje të simuluar të sendeve që janë të ndaluara për t’u prodhuar, zotëruar, mbajtur apo tregtuar, apo sende që rrjedhin nga një krim, ose simulimin e një akti korruptiv ose të kryejnë veprime të tjera simuluese, për të zbuluar dhe mbledhur prova për personat e dyshuar për kryerjen e një krimi, duke fshehur bashkëpunimin me policinë ose detyrën e tyre si punonjës policie”, thuhet në ligj. Pra aty dëshmohet qartë se do ketë provokime për zyrtarët kur ka dyshime se ata janë të përfshirë në afera korrupsioni. Si duket këto përcaktime ligjore kanë trembur jashtë mase opozitën, e cila po tenton destabilizim dhe krizë politike. Megjithatë sinjalet janë se nuk ka më asnjë kthim pas për luftën kundër korrupsionit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here