Teatri Eksperimental: Vrulli i komedisë “Boeing Boeing” nuk ndalet

    0
    535

    Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ka rikthyer në skenë komedinë “Boeing Boeing”. Teatri shkruan se edhe ky rikthim i kësaj shfaqje ka pasur vëmendjen e publikut. “Vrulli i komedisë brilante “Boeing Boeing” nuk ndalet! Të gjitha biletat e shitura për sonte dhe nesër! Nxitoni të rezervoni vendin tuaj për ditën e shtunë dhe të diel”, shkruan teatri. Vepra e autorit francez Marc Camolett me regji nga Kiço Londo vjen në skenë nën interpretimin e aktorëve Amos Muj Zaharia, Rudina Dembacaj, Gentian Zenelaj, Alessia Xhemalaj, Adriana Tolka dhe Linda Jarani. Vepra vjen e përkthyer nga Nasi Lera dhe është me skenografi nga Genta Qyrku, kostumografe Realda Malo dhe art-design Klea Mani. Regjisori Londo, i cili me këtë vepër ka qenë dhe në skena të teatrove të tjerë tregon se është një komedi që jep mesazhe njerëzore.

    “Një komedi e mençur, e zgjuar dhe që jep mesazh mjaft njerëzor që pavarësisht nga keqkuptimet dhe aventurat e shumta, kur aventurat që na kushtojnë përfundojnë mirë, çdo gjë është mirë”, shprehet Londo. Ngjarjet e veprës ndodhin në Paris në ditët e sotme. Një komedi e bujshme, në venat e së cilës rrjedh gjak si ai i komedive të Shekspirit me incidente të hareshme dhe ngatërrim identitetesh, “Boeing Boeing” paraqet aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe. Tri stjuardesa njëra më e bukur se tjetra, një franceze një gjermane dhe një amerikane, secila duke besuar se është e fejuara e Bernardit. Më parë Bernardi ka ditur t’i xhonglerojë këto gra, falë zotërimit të orarit të detajuar të fluturimeve të tyre. Kur situata ndryshon dhe të tria gratë e tij mbërrijnë në apartament në të njëjtën ditë, Bernardi me ndihmën e shokut të tij Robert lufton me të gjitha mënyrat, që ato të mos e marrin vesh të vërtetën. Bernard e mban njërën në ajër, njërën në tokë dhe tjetrën të varur. Komedia fillon në momentin kur fati i sjell të gjithë personazhet në të njëjtin vend, pikërisht në shtëpinë e Bernardit. Ai arrin të dal nga situata falë mikut të tij, Robert. “Boeing Boeing” është një komedi mjaft e suksesshme, komedia franceze më e shfaqur në botë deri më sot që po vijon ditët e saj edhe në skenën teatrore shqiptare duke marrë vlerësimet dhe duartrokitjet e publikut.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here