Nga transaksionet me qindra mijëra euro, apartamentet dhe vila në një prej zonave rezidenciale të Tiranës, te argumenti se është pensioniste dhe mund të mbetet pa banesë. Ky është një prej kontrasteve që bie në sy në mbrojtjen e Fatime Kryemadhit, nënës së Monika Kryemadhit, e cila kërkon në Gjykatën e Posaçme pafajësi për akuzën e pastrimit të parave dhe të shmangë konfiskimin e vilës së saj në Kodrën e Diellit. Në konkluzionet prej 81 faqesh, avokatet Flutura Kona dhe Esmeralda Rama kundërshtojnë pretendimet e SPAK për origjinën e paligjshme të fondeve, ndërsa në fund të argumentimit kërkojnë që gjykata të marrë parasysh edhe gjendjen ekonomike të klientes së tyre, duke theksuar se ajo është pensioniste dhe se vila është e vetmja pasuri e paluajtshme në pronësi të saj.
Por pensioni hyn në diskutim në një dosje ku shifrat janë shumë larg të ardhurave të zakonshme të një pensionisti. SPAK ngre dyshime për 846 mijë euro të pajustifikuara, ndërsa në dokumentacion përmenden transferta prej 138 mijë eurosh drejt Monika Kryemadhit, një kredi prej 335 mijë eurosh dhe tërheqje të konsiderueshme parash. Sipas mbrojtjes, Prokuroria nuk ka arritur të provojë se këto fonde kanë origjinë kriminale apo se Fatime Kryemadhi ka pasur dijeni për një origjinë të tillë.
Avokatet kundërshtojnë edhe mënyrën se si SPAK ka përllogaritur diferencat mes të ardhurave dhe shpenzimeve. Një tjetër pikë e debatit është shuma prej 138 mijë eurosh që Fatime Kryemadhi i ka kaluar vajzës së saj gjatë vitit 2009. Nga kjo shumë, SPAK konsideron të justifikuara 100 mijë euro, ndërsa konteston 38 mijë eurot e mbetura. Prokuroria ngre pikëpyetje edhe për 75 mijë euro të ardhura nga qiratë, duke e çuar diferencën e pretenduar të pajustifikuar në rreth 113 mijë euro.
Në dosje përmendet edhe çështja CEZ-DIA, për të cilën mbrojtja kundërshton lidhjen që SPAK bën mes transaksioneve financiare dhe pasurive të Fatime Kryemadhit. Avokatet argumentojnë se nuk ekzistojnë prova që shumat e përmendura në komunikimet e administruara nga Prokuroria kanë përfunduar te klientja e tyre. Në qendër të përplasjes mbetet vila në Kodrën e Diellit, me një vlerë të përafërt prej 186.945 eurosh, për të cilën SPAK kërkon konfiskimin përfundimtar. Sipas mbrojtjes, pasuria është përfituar përmes një kontrate shkëmbimi me një kompani dhe nuk ka lidhje të provuar me veprimtari kriminale. Por nëse shihet dosja e SPAK më poshtë, kuptohet qartë babëzia.









































