Zbardhet rregullorja, ja procedura si do të zgjidhen anëtarët e KLP dhe KLGJ, Gjykata e Lartë përzgjedh anëtarët e Komisionit të Votimit

0
388

Prokuroria e Përgjithshme dhe Gjykata e Lartë publikuan dje draft-raportet që tregojnë të gjithë procedurën që do të ndiqet për përzgjedhjen e 6 anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Teksa si Arta Marku, ashtu edhe Xhezair Zaganjori kanë thirrur prokurorët dhe gjyqtarët e të gjitha niveleve në mbledhje, fillimisht duhet të krijohet Komisioni i Votimit për mbarëvajtjen e procesit të përzgjedhjes së anëtarëve.

“Nën përgjegjësinë e Prokurorit të Përgjithshëm, organizohet shorti për zgjedhjen e tre anëtarëve të Komisionit të Votimit. Shorti hidhet ndërmjet prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme që nuk kandidojnë për anëtarë të KLP; në një mbajtëse transparente futen aq gogla të njëjta sa është edhe numri i kandidatëve, pjesëmarrës në short. Ftohet një nga të pranishmit në mbledhje që nuk është kandidat pjesëmarrës në short apo kandidat për anëtar i KLP, të tërheqë tre gogla të cilat pasi i hap, i lexon me zë të lartë dhe ua tregon të gjithë pjesëmarrësve; Komisioni i votimit zgjedh nga radhët e tij me short kryetarin”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Aty po ashtu sqarohet se kandidatët për KLP kanë të drejtë 5 minuta të paraqesin platformat e tyre. Më pas nis procedura e votimit, ku çdo prokuror i pranishëm duhet të shenjojë kandidatin e tij të preferuar. Votimi bëhet në ambiente të veçanta të vendosura në mënyrë të tillë që të sigurojnë fshehtësinë e procesit. Anëtarët e Komisionit të Votimit më pas hapin kutitë e votimit dhe bëhet renditja e kandidatëve sipas votave të marra, ku ai me më shumë vota del fitues. Në qoftë se dy ose më shumë kandidatë kanë marrë të njëjtin numër votash, fituesi përcaktohet me short midis tyre, i cili hidhet nga Komisioni i Votimit. E njëjta procedurë ndiqet edhe për zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ. Vlen të theksohet fakti që Gjykata e Lartë i ka zgjedhur paraprakisht anëtarët e Komisionit të Votimit. “Fillimisht u hodh shorti për caktimin e Anëtarëve të Komisionit të Votimit, nga ku u zgjodhën: Engert Pëllumbi, Florian Kalaja dhe Durim Kadiu. Më pas, u hodh shorti midis tre anëtarëve të zgjedhur të Komisionit të Votimit, për të zgjedhur Kryetarin e Komisionit të Votimit, nga i cili u zgjodh ndihmësmagjistrati Durim Kadiu”, thuhet në një njoftim të Gjykatës së Lartë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here