Panuçi zbulon pse qëndroi në krye të Kombëtares: Duka i zgjuar, e kuptoi që më do grupi

0
421

Trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, beson se Shqipëria mund të kualifikohet në Europianin e vitit 2020. Edhe pse Shqipëria ndodhet në një grup të vështirë, me Francën, Islandën, Turqinë dhe Moldavinë, pa përmendur dhe Andorrën që nuk po merret seriozisht, shanset që kuqe3szinjtë t’ia dalin të paktën si vend i dytë janë të mira. Në një intervistë që dha për “Klan TV”, tekniku italian i përfaqësueses përmendi dhe raportet e tij me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, me ndihmësin e tij në përfaqësuese Ervin Bulku, si dhe me aktorët e tjerë që kanë ndikim në përfaqësuese. Ai e quajti qëndrimin e mëtejshëm të tij në krye të kuqezinjve një veprim të drejtë të Dukës, madje një veprim inteligjent, sepse, sipas tij, kreu i federatës e kishte kuptuar se futbollistët e donin atë si trajner. Në fillim Panuçi foli për shortin e hedhur në Dublin pak ditë më parë, duke thënë se ka mbetur i kënaqur. “Jam i kënaqur me shortin. Kemi një grup ku kemi mundësi me Turqinë dhe Islandën. Sigurisht që jam ende i të njëjtit mendim që kam nevojë për të gjithë futbollistët për të provuar t’ia dalim. Turqinë në miqësore e mundën, Islanda është ekip zik, është një grup i vështirë për vendin e dytë por Shqipëria mund të tentojë”, tha Panuçi. Më pas vjen një koment për rivalët, sidomos për Turqinë dhe Islandën, që konsiderohen rivalë direkt. “Luçesku po vazhdon me rinovimin e skuadrës. Është një skuadër e ndërlikuar, por fusha na tregoi se kemi mundësi. Mund të shkojë në Europian: Turqia, Islanda apo Shqipëria. Do të shohim dhe do të kërkojmë të jemi më të zotë se ata”, vijoi Panuçi rrëfimin e tij për televizionin e sipërcituar. Më tej ai komentoi raportin e vështirë me gazetarët dhe njerëzit që e kritikojnë, duke dhënë argumentet e tij për t’u justifikuar. “Kam gjetur gjithnjë shumë negativitet, mbi këtë replikoj. Ndoshta jap përshtypjen e polemikut, por duhen analizuar dinamikat e ngjarjeve. Por për mua e rëndësishme të kem gjithë skuadrën. Nuk shoqërohem me gazetarët, por kjo nuk do të thotë se nuk kam respekt për ju”, nënvizoi Panuçi. Më pas një koment për grupin që ka interes për lexuesit, pasi Panuçi pretendon afrimin e shumë të rinjve që janë një bazë për të ardhmen, pro edhe për mungesat e shumta të titullarëve që e kushtëzuan në Ligën e Kombeve.

“Kur ke mungesa lojtarësh është e vështirë të bësh skuadër. Unë e kam në mendje skuadrën dhe kam folur edhe me presidentin. Duhet të kujtoni se kam provuar 20-21 lojtarë të rinj. Por janë lojtarët ata që vendosin se cili do të grumbullohet me atë që tregojnë në fushë. Për që prej një viti për shkak të mungesave ideja ime nuk ka funksionuar”, shtoi tekniku kuqezi. Megjithatë, Panuçi pranon se ka me vete një grup lojtarësh të mirë, ku ai gjen mbështetjen e dëshiruar. “Grupi i lojtarëve është me mua. Tek unë kanë gjetur një mik. Ka pasur lojtarë që nuk luajnë në skuadrat e tyre dhe unë i kam ndihmuar duke i grumbulluar. Por unë e di se çfarë duhet bërë për të ftuar dhe këtë dua të transmetoj. Kjo bëhet gjatë stërvitjeve. Aty duhet të djersijnë sepse kemi përgjegjësinë e një kombi. Po flasim për kombëtaren, të gjithë duhet të jenë krenarë që bëjnë pjesë”, vijoi më tej tekniku italian i Kombëtares. Nuk mungoi në këtë logjikë ngjarjesh edhe komenti i Panuçit për raportet e tij me kreun e federatës, Armand Duka, për të cilin trajneri tha se vendosi drejt për të mirën e skuadrës. “Duka e kuptoi që ishim në vështirësi, ai e di që skuadra është me mua. Kam fatin të kem një president me nivel intelektual më lart se mesatarja”, tha në një mënyrë të pakuptimtë tekniku i përfaqësueses së Shqipërisë. Në fund vjen një koment dhe për mungesën e elementëve nga Kategoria Superiore, duke pranuar që duhet të jetë më shumë i pranishëm në ndeshjet e kampionatit shqiptar. “Faji nuk është i imi, është i Bulkut që nuk më thërret (qesh). E gjithë federata kërkon lojtarë të zotë por duhet parë nëse zgjedhin Shqipërinë. Është grupi që mund të bëjë gjëra të rëndësishme. Nëse nuk përpiqemi të gjithë së bashku lojtarë, federatë, tifozë dhe gazetarë për të shkuar në europian atëherë nuk do t’ia dalim”, përfundoi Panuçi.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here