“Streha mes reve”, shfaqet premierë botërore në Estoni

0
440

Filmi  “Streha mes Reve” me skenar dhe regji Robert Budina shënoi mbrëmë premierën botërore në konkurrimin zyrtar të Festivalit të Filmit Tallin Black Nights, në Estoni. Në filmin “Streha mes reve”, interpreton aktori me famë ndërkombëtare, Arben Bajraktaraj (i njohur për: Taken, Harry Potter dhe Deathly Hallows) në rolin kryesor, atë të Besnikut. Në role përmendim dhe aktorët Esela Pysqyli, Irena Cahani, Bruno Shllaku, Osman Ahmeti etj. Filmi tregon historinë e Besnikut, një bari që vuan nga një çrregullim mendor, i cili po kujdeset për të atin, një ish komunist, në një fshat në Shqipërinë malore të Veriut. Atje ku fetë e ndryshme kanë gjetur një mënyrë për të bashkëjetuar paqësisht, Besniku është një mysliman i devotshëm, nëna e tij ishte katolike dhe vëllai i tij u kthye në besimin ortodoks në Greqi. Edhe pas zbulimit se xhamia e vjetër e fshatit ishte një kishë dhe se ndërtesa ishte në të vërtetë e ndarë nga dy fetë në të kaluarën, qetësia e jetës së përditshme mund të ruhet vetëm me ndihmën e Besnikut.Megjithatë, pas vdekjes së babait të tij, ndryshimet drastike kërcënojnë familjen e Besnikut dhe bariu është i detyruar të krijojë rrugën e tij.

Filmi është financuar nga QKK dhe prodhuar nga producentja Sabina Kodra (Era film) në bashkëprodhim me RTSH dhe Cristian Nicolescu, Rumani (Digital Cube). Streha mes Reve u xhirua nga Drejtori i fotografisë së Radu Jude, Marius Panduru (i cili gjithashtu ka xhiruar filmin “Album”, triumfues në festivalin e filmit të Sarajevës në 2014), montazhier Stefan Tatu (Wolf) dhe Kompozitor Marius Leftarache. I themeluar në vitin 1997, Tallin Black Nights Film Festival është zgjeruar së shumti duke u kthyer në një prej festivaleve më të mëdhenj të Europës Veriore dhe një ndër platformat më të përqendruara rajonale të industrisë së filmit, duke mirëpritur më shumë se 1000 të ftuar dhe përfaqësues të fushës dhe më shumë se 160 gazetarë nga e gjithë bota. Përgjatë ditëve të tij shfaqen rreth 250 filma të gjatë dhe më shumë se 300 filma me metrazh të shkurtër dhe të animuar, duke shënuar një publik prej më shumë se 80 mijë veta çdo vit. Në vitin 2017 festivali është mbuluar në 71 gjuhë të ndryshme të botës me një mesatare të mbulimit mediatik prej 1.1 miliardë njerëz.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here