Komedia “Këmbë zbathur në park” shkruar nga autori Neil Simon vjen premierë te “arTurbina” me regji nga Lorin Terezi. Aktiv në jetën artistike me projekte në teatër, këtë herë regjisori Terezi vjen me një komedi premierë te “arTurbina”, që do të shfaqet për publikun mbrëmjet e d datave 1 dhe 2 dhjetor. Në role këtë herë janë aktorë të njohur, por dhe emra të rinj që janë pjesë e komedisë. Në role vijnë aktorët Ledjon Zoi, Anila Balla, Marsel Greva, Ermira Gjata dhe Ardian Cerga. As regji Ervis Saliasi, skenografia Beqo Nanaj, kostumografe Bukuroshe Sinanaj. Sipas regjisorit Lorin Terezi edhe pse vepra i zhvillon ngjarjet në Amerikën e viteve ‘60 sërish ka referenca me aktualitetin dhe në ditët e sotme. “Vepra i zhvillon ngjarjet në vitet ‘60 në Amerikë. Kjo vepër është pjesë aktuale dhe në qendër të saj është një çift i ri që fillon jetë me vështirësitë, por dhe pritshmëritë që kanë për jetën si dhe ato probleme, që dalin nga realiteti që hasin. Kjo është ajo që më ka ngacmuar, dhe i referohet edhe aktualitetit tonë”, tregon regjisori Terezi. Në punë për të sjellë në skenë premierën e re teatrore këtë herë dy mbrëmje te “arTurbina” regjisori vijon se në komedi janë situata dhe konflikte, që e bëjnë të larmishme veprën në skenë. “Çifti blen një shtëpi të re dhe vajza ka bërë zgjedhjen e saj. Ajo ka marrë një shtëpi në katin e nëntë, por e ka marrë dhe shtrenjtë edhe jashtë komoditetit për të jetuar. Por asaj i duket interesante jeta aty. Të gjithë personazhet që vijnë, si bashkëshorti i saj, apo dhe të tjerët detyrohen që të rrinë aty vetëm për mos t’ia prishur asaj qejfin e apartamentit që ka marrë me qera. Por përveç kësaj aty dalin dhe problematika të tjera të bashkëjetesës dhe mënyrës të të menduarit të gjërave si dhe me personazhet e tjera që janë aty, që është dhe mamaja e vajzës, ku edhe pse e bija ka dalë të jetojë vetëm ajo i ndërhyn. Po aty është dhe një komshi, që bëhet pjesë e ngjarjeve, por është një komedi”, tregon mes të tjerave regjisori Lorin Terezi.
Komedia në skena
Premiera do të jetë në Tiranë, por regjisori Lorin Terezi pohon se më pas do të vijojnë dhe në skena të tjera. “Ky projekt teatror këtë herë ka mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, por dhe Bashkisë së Tiranës si dhe suport i Teatrit Kombëtar. Ne do të jemi për momentin dy mbrëmje te “arTurbina” por ne presim që kemi dhe rivënie të tjera teatrore, por nga janari do të shikojmë ku do të jemi dhe në skena të tjera me këtë komedi”, shton më tej regjisori Lorin Terezi. Ky vit po mbyllet me një komedi premierë për regjisorin Lorin Terezi, i cili me aktivitetin tij vijon dhe në fushën e kinematografisë me filmin. Ai shprehet se ka qenë një vit impenjativ nga ana artistike. “Ky vit për mua ka qenë me angazhime, një vit intensiv dhe i ngarkuar me punë dhe përgjegjësi e madhe. Por mua më pëlqen ngarkesa në punët që bëj, sesa të jesh pasiv pa aktivitet”, shprehet regjisori Lorin Terezi. Dramaturgu dhe skenaristi Neil Simon ka mjaft vlerësime. Si një anëtar i famshëm “Your Show of Shows”, Simon ishte shtylla e argëtimit për më shumë se 6 dekada. Në vitin 1991 fitoi Çmimin Pulitzer për Dramën me “Lost në Yonkers”. Ai ishte skenarist i komedive të paharrueshme si “The Odd Couple,” “Barefoot in the Park,” “The Sunshine Boys” dhe “Brighton Beach Memoirs”. Suksesi i tij i parë në Broadway ishte “Come Blow Your Horn” e vitit 1961. Ai ka shkuar shumë vepra komike që u bënë pjesë e teatrit amerikan në fund të shekullit të 20-të. Dhe kjo nuk ishte asgjë, pasi Simon shkroi më shumë se 30 drama. Duke shtuar dhe skenarët e tij origjinal si “The Out-of-Towners,” “The Heartbreak Kid,” “The Goodbye Girl” dhe “Seems Like Old Times”./ Julia VRAPI