Dhuna në familje, nisin xhirimet e filmit artistik “Emili” me skenar dhe regji të Ajola Dajës

0
552

Filmi artistik “Emili” ka nisur këto ditë xhirimet në Tiranë. Me skenar dhe regji nga Ajola Daja, filmi tregon një marrëdhënie dhune në familje, që shihet në sytë e dy femrave të shtëpisë. Një projekt kinematografik, i cili ka në role aktorë të njohur dhe bashkë me regjisoren Ajola Daja tashmë puna për filmin ka disa ditë që ka nisur. Edhe më parë në aktivitetin e saj me kinemanë regjisorja Ajola Daja ka treguar rreth punës me projekte të saj, por këtë herë ajo pohon se skenari për filmin nisi nga një histori dhune reale, që në realitetin tonë gjendet. Emra të njohur të kinemasë shqiptare, por dhe ata me famë në botë janë bërë pjesë e filmit artistik “Emili”. Kjo përzgjedhje e regjisores Ajola Daja sjell në role aktorët Arta Dobroshi, Luiza Xhuvani, Lulzim Zeqja, Noel Miraka. Skenariste dhe regjisore, Ajola Daja tregon se filmi “Emili” sjell protagoniste kryesore aktoren e njohur kosovare Arta Dobroshi. Këtë herë ajo vjen me rolin e gruas së dhunuar, që kërkon një mënyrë për t’u larguar me të birin, që është gjashtë vjeçar. “Filmi shpalos raportet mes dy femrave në një familje të dhunuar, dhe pasojat që kjo dhunë lë pas për shumë gjatë. Aktorja kryesore është Arta Dobroshi, në rolin e Emilisë, gruas së dhunuar e cila kërkon të gjejë një mënyrë për t’u larguar me djalin e saj 6 vjeçar. Emili ndeshet me vjehrrën që luhet nga aktorja Luiza Xhuvani, e cila përpiqet ta ndihmojë, duke shkaktuar dhimbje. Lulzim Zeqja është në rolin e bashkëshortit dhunues (Robert) dhe djali i vogël Noel Miraka, në rolin e djalit të Emilisë”, shprehet Daja për personazhet e filmit. Regjisorja Ajola Daja tregon se puna për filmin ka nisur më shumë se një vit më parë. “Filmi “Emili” ka nisur para një viti e gjysëm, një marrëdhënie dhune në familje, e cila shihet nga sytë e dy grave të shtëpisë. Nisi nga një ngacmim, nga një histori dhune reale, të cilat nuk është e vështirë ti gjesh në realitetin tonë”, tregon regjisorja Daja, që këto ditë po zhvillon xhirimet në Tiranë dhe pritet të përfundojnë nga ditët e fundit të nëntorit. Një projekt me financim të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, që sipas regjisores e ka vënë përpara një përgjegjësie jo të vogël për realizimin e filmit. “Pas aplikimit në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, filmi nisi të vihej përpara përgjegjësisë dhe faktit, që shumë shpejt do të merrte frymë. Projekti “Emili” është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në kategorinë e filmit indipendent. Pjesa më e madhe e xhirimeve janë në Tiranë dhe pritet të përfundojnë në datë 25 nëntor”, vijon më tej për filmin regjisorja Ajola Daja.

Puna me filmin

Me emra të njohur të kinematografisë në role, regjisorja Ajola Daja tregon se në punën e saj me filmin “Emili” ka qenë me shumë rëndësi, që të konkretizonin më së miri personazhet. Për rolet në film janë zhvilluar më herët edhe audicione. “Nisëm kinoprovat dhe kërkimet e brendshme për të gjetur aktorët, që për mua mund të konkretizonin më së miri personazhet e mi, dhe ja ku  jemi në xhirime tashmë me filmin “Emili”, vijon regjisorja. Skenariste dhe regjisore në filmin “Emili”, Ajola Daja tregon se puna nuk është e lehtë. “Puna është shumë e vështirë për sa i përket produksionit, sepse na duhet të përballemi me shumë të papritura, të cilat kërkojnë sigurinë financiare. Një ditë xhirimi kushton shumë”, rrëfen ajo. Por dhe pse nuk mungojnë vështirësitë sërish për regjisoren Ajola Daja entuziazmi për këtë projekt është i madh, sepse rreth vetes ka një ekip shumë të mirë. “Por jam e lumtur, sepse kam një ekip shumë të mirë pranë vetes, të cilëve i është dashur të bëjnë disa punë dhe kanë pasion dhe dëshirë për ta bërë këtë film në mënyrën më të mirë. Kjo e bën çdo gjë më të lehtë”, vijon më tej regjisorja e filmit “Emili”. Ky projekt është në vijim të punës së regjisores Ajola Daja, që ka sjell për publikun dhe të tjerë filma.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here