Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë i ka dorëzuar Hungarisë notë proteste lidhur me ikjen e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe me kërkesën së tij për azil në Hungari. Dje në Shkup është zhvilluar takim mes ambasadorit të Hungarisë në Maqedoni, Laslo Duks, dhe sekretarit shtetëror në MPJ, Viktor Dimovski. Dimovski është shprehur optimist se Hungaria për këtë rast do të veprojë në frymën e marrëdhënieve të mira bilaterale si dhe vlerave evropiane, si dhe pa vonesa do ta hedhë poshtë kërkesën e Gruevskit për marrjen e statusit të azilantit. Nga ana tjetër arratisja e Nikolla Gruevskit ka ngritur në këmbë autoritetet maqedonase, ndërsa drejtësia atje po përgatit dokumente për të kërkuar ekstradimin e tij nga Hungaria. Mediat në Maqedoni raportojnë se kërkesa e Gruevskit për azil është në procedurë e sipër dhe këtë e bazojnë në njoftimet nga Kabineti i kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban. Gjithashtu ka dyshime të forta se ish-kryeministri mund të jetë larguar edhe nga Hungaria drejt Turqisë duke mos përjashtuar si alternativë edhe Rusinë. Këto kanë qenë disa nga aludimet e mediave, por ende nuk dihet “streha” se ku po qëndron ish-kryeministri, i cili është dënuar me dy vite burg në Maqedoni. Mbi arratisjen e Gruevskit ka shkruar dje dhe Radio Evropa e Lirë, ku ka ngritur pikëpyetje se kush e ndihmoi ish-kryeministrin.
“Derisa institucionet po përgatisin dokumentacionin me kërkesën për ekstradimin e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski nga Hungaria, prej nga kishte njoftuar se ka kërkuar azil politik, nga ana tjetër në opinion qarkullojnë hipoteza të ndryshme përfshirë edhe atë nëse Gruevski është ndihmuar gjatë arratisjes nga vetë institucionet apo nëse paraprakisht ka pasur marrëveshjes mes tij dhe qeverisë aktuale. Kjo dilemë ngrihet për faktin se ish-kryeministri nga e dita e premte, 9 nëntor, ishte i pakapshëm nga organet e rendit dhe të drejtësisë për t’iu dorëzuar vendimi për vuajtjen e dënimit, ndërsa ditët e fundjavës, më 10 dhe 11 nëntor nuk kishte asnjë aktivitet në kërkim të tij, për të vazhduar me pas të hënën (12 nëntor) me shpalljen e flet-arrestit fillimisht vendor dhe më pas edhe ndërkombëtar, por vetëm pas njoftimit të autoriteteve të Shqipërisë dhe të Malit të Zi se ish-kryeministri i Maqedonisë përmes territoreve të tyre ishte arratisur për në Hungari”, thuhet në artikull.