Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski është arratisur drejt shtetit hungarez përmes Shqipërisë. Teksa prej disa ditësh kishte aludime se si ai kishte përfunduar në Hungari, dje është zbardhur intenerari që ka ndjekur Gruevski. Ish-kryeministri maqedonas ka hyrë ilegalisht në territorin shqiptar dhe më pas më datë 11 nëntor ka kaluar drejt Malit të Zi përmes doganës së Hanit të Hotit. Dje ka reaguar dhe policia e shtetit, e cila ka pranuar se Gruevski ka kaluar përmes territorit tonë. “Shtetasi Nikola Gruevski më datë 11.11.2018, rreth orës ora 19:11, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit në drejtim të Malit të Zi, si pasagjer në automjetin me targë CD1013A, në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë. Në datën 11.11.2018 për shtetasin Nikola Gruevski nuk ka pasur asnjë njoftim në kufi apo shpallje si person në kërkim. Interpol Shkupi në datë 13.11.2018, rreth orës 19.35 i ka dërguar Interpol Tiranës njoftimin për shpallje në kërkim ndërkombëtar për këtë shtetas”, tha policia. Ashtu siç e ka bërë të ditur dhe policia, Gruevski është ndihmuar nga ambasada hungareze në Tiranë që të arratiset. Në pikat doganore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë nuk figuron që Gruevski të ketë kaluar në mënyrë të rregullt. Ai ka kaluar në mënyrë klandestine. Policia ka nisur menjëherë verifikimet për të parë se që nga ka kaluar ish-kryeministri maqedonas. Dyshimet janë se ai ka qëndruar një natë në ambasadë dhe më pas i është vënë në dispozicion një makinë e ambasadës, për ta bërë më të lehtë kalimin në kufirin shqiptaro-malazez. Policia në reagimin e saj e ka bërë të qartë se ndaj tij nuk ka pasur asnjë urdhër ndalimi, ndërkohë që Gruevski ka kaluar në doganën e Hanit të Hotit me kartë identiteti. Gruevski është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi gjykata në Maqedoni e ka dënuar atë me burgim për afera korrupsioni. Por në momentin që do të ekzekutohej urdhër-arresti, Gruevski nuk gjendej. Vetëm pak ditë më parë ai njoftoi se ndodhej në Budapest dhe se kishte kërkuar atje azil politik. Por duket se ai ka përdorur dhe territorin tonë për të kaluar.
Kush e ndihmoi Gruevskin?
Dyshimet janë se Nikola Gruevski ka kaluar në Shqipëri, më pas në Mal të Zi dhe prej andej në Serbi, e në fund në Hungari. Por kjo lëvizje e tij ka ngjallur mjaft dyshime. Gruevski mund të kalonte direkt nga Maqedonia në Serbi. Atëherë pse përdori Shqipërinë e Malin e Zi? Dyshimet janë se përveç ambasadës Gruevski është ndihmuar dhe nga pushtetarë të lartë në Tiranë. Ka shumë persona që kanë miqësi të fortë me të. Po ashtu dhe kryeministri hungarez që ka strehuar Gruevskin ka miqësi me shumë politikanë shqiptarë. Dyshimet janë se nuk është një lojë vetëm e ambasadës, pasi Gruevski ka përdorur të gjithë miqësinë e tij për të kaluar nga Shqipëria në Malin e Zi. Por kush e ndihmoi? Në Tiranë ka shumë filo rusë që e kanë mbështetur në prapavijë Gruevskin. Ai njihet për lidhjet me Moskën. Më herët gazeta e deklaroi se ka dhe politikanë shqiptarë që kanë pasur kontakte me Rusinë. Mbetet të shihet se si do të përfundojë historia etj, ndërkohë që dje në Tiranë nuk pati asnjë reagim si nga qeveria ashtu dhe nga opozita.
Kliti Topalli