Një tërmet i ri do të përfshijë botën e futbollit. Veçanërisht, skandali i radhës mund të fundosë PSG-në, që, sipas “Der Spiegel”, ka marrë një financim të parregullt nga qeveria e Katarit prej 1 miliard e 800 milionë euro, duke shkelur rregullat e Fair Play-it Financiar.
Në këtë pikë, klubi francez rrezikon përjashtimin nga Champions League dhe të humbasë dyshën Mbappe-Neymar. Në këtë skandal janë të përfshirë presidenti i FIFA-s, Infantino, Michel Platini dhe presidenti i PSG-së, Al-Khelaifi, bashkë me krahun e djathtë të këtij të fundit, Blanc.
Dokumentacioni i publikuar nga gazeta gjermane ka zbuluar se Infantino dhe Platini, në 2012-ën, kanë miratuar marrëveshjen ekonomike mes klubit francez dhe Katarit, pavarësisht se ka qenë kundër rregullave të Fair Play-t Financiar.
Madje, Platini ka reduktuar gjobën (60 milionë euro) për shkak të zemërimit të pronarit të PSG-së, ndërsa Infantino e ka lejuar klubin të përfshijë në bilancet e mëparshme një pjesë të kontratës së nënshkruar me Ministrin e Turizmit të Katarit në sezonin 2013-14, siç bëri edhe Manchester City.