Partitë shqiptare janë të gatshme të përkrahin ligjin për mbylljen e lojërave të fatit në Maqedoni. Sipas tyre, është detyrë e Qeverisë që të propozojë një ligj të tillë.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Qeverisë Muhamed Hoxha thotë se Qeveria e Maqedonisë, përkatësisht Ministria e Financave është në fazën e përgatitjes së ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për lojërat e fatit.
“I njëjti është publikuar në platformën ENER. Me qëllim që të dëgjohen mendimet e opinionit përpara se të fillojë definimi i tekstit final të Propozim-ligjit. Pas definimit të tekstit final i nëjti do të jetë në debat qeveritarë dhe më pas do të dërgohet për miratim në Parlamentin e Maqedonisë”, thotë zëdhënësi Muhamed Hoxha.
Ai shton se për cdo vendim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë opinioni do të jetë i njoftuar në kohë.
Burime Qevritare thonë për Gazetën Lajm se seriozisht do të shqyrtohet edhe mundësia që të përcillet shembulli i Shqipërisë, ku kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar mbyllje të kazinove dhe bastoreve pas vitit të ri.
Edhe partitë politike tregojnë gatishmëri për të prkrahur mbylljen e kazinove dhe bastoreve.
Zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët, Flakron Bexheti për Lajm thotë se është pak hipotetike, përderisa nuk ka propozim konkret nga Qeveria.
“Në qoftë se do ketë kuptohet që do e marrim vendimin më të mirë në favor të qytetarëve duke i luftuar këto fenomene që po ngulfatin shpresën e rinisë, dhe po bëhen element degjenerues i mbarë shoqërisë së sonë”, thotë Flakron Bexheti.
Ai është i mendimit se presioni duhet të bëhet mbi shumicën parlamentare.
“Ne gjithsesi se do e përkrahim një gjë të tillë konform standardeve të shteteve te BE që kane gjetur zgjedhjen me të mirë, për këtë fenomen shkatërrues”, shtoi Bexheti.