Filmi “Streha mes reve” me skenar dhe regji nga Robert Budina do të jetë premierë botërore në një festival të kategorisë A në Estoni. Filmi do të jetë në konkurrim zyrtar në edicionin e 22-të të festivalit “Black Night”, në Tallinn të Estonisë. Në film interpretojnë aktorë të njohur nga Shqipëria dhe Kosova, emra që janë të vlerësuar dhe në botë me kinemanë. Regjisori Budina e vlerëson këtë pjesëmarrje, sipas tij ky festival është ndër tetë më të mirët në Europë. “ Filmi do të jetë premierë botërore në 28 nëntor në Tallinn të Estonisë, një nga festivalet e kategorisë A. Puna ime si regjisor ka qenë gjithmonë për të sjell një film me cilësi sa më të mirë, të shkojë dhe në sa më shumë festivale të kategorisë A, dhe ky është ndër tetë më të mirët në botë. Ne e arritëm qëllimin tonë, dhe më pas filmi do të vijojë jetën e tij do të shfaqet në kinema në Gjermani, Kinë, po punojmë për në Amerikë”, tregon regjisori Robert Budina. Në rolet kryesore interpretojnë aktorët si Arben Bajraktaraj, Esela Pysqyli, Bruno Shllaku, Irena Cahani, Osman Ahmeti, Muzbajdin Qamili dhe Virus Shala. “Streha mes reve” financuar nga QKK Shqipëri është në bashkëprodhim me Digital Cube Rumani. Në reagimin e tij regjisori Budina tregon se filmi përqendrohet tek personazhi i Besnikut. “Bota e tij e brendshme, ndjesitë e tij në raport me komunitetin, familjen, fenë, dashurinë, zotin dhe natyrën”, tregon regjisori Budina. Filmi rrëfen, historinë e Besnikut një bariu, besimtar i devotshëm mysliman, i cili zbulon që xhamia e vjetër e fshatit të vogël ku ai jeton, në Veri të Shqipërisë mes Alpesh, ka qenë dikur kishë. Ky zbulim hap debate të zjarrta në komunitetet e ndryshme fetare që jetojnë aty. Besniku është pjesë e një familjeje anëtarët e së cilës kanë besime të ndryshme dhe bashkëjetojnë në paqe me njëri tjetrin, deri ditën që Fadili babai ish komunist i familjes vdes, dhe atyre u duhet të ndajnë shtëpinë e vjetër në fshat mes tyre. Këtë vendim e bën të vështirë, amaneti që babai ish komunist ka lënë. Në të ri të tij, Besniku ra në dashuri me një vajzë nga një familje e persekutuar dhe Fadili duke qenë komunist i thekur nuk e lejoi të birin të realizonte ëndrrën e tij. Kjo i shkaktoi Besnikut një traumë që koha nuk e shëroi. Fadili e vuajti gjithë jetën kompleksin për traumën që i shkaktoi të birit, të cilën u përpoq ta shlyente me amanetin që la në fund të jetës. Amaneti i babait, do t’ia vështirësojë Besnikut përpjekjen për të mbajtur së bashku familjen dhe komunitetet me besime të ndryshme fetare në fshat, dhe do ta bëjë të marrë një vendim të rëndësishëm për jetën e tij.
Përpjekja për një film me vlera të veçanta
Në shënimet e saj producentja Sabina Kodra tregon se ky projekt lindi në përpjekje për të bërë jo thjesht një film, por që shpreh vlera të veçanta që nuk i has shpesh në kultura të tjera. “Unë i propozova regjisorit Robert Budina idenë time për këtë projekt, dhe meqë të dy kishim një eksperiencë të përbashkët të bashkëjetesës fetare në familje, ai u rrëmbye menjëherë prej saj, për veçantinë që kjo temë ofron dhe mundësinë e madhe për ta rrëfyer atë në mënyrë po aq të veçantë. Së bashku kemi filluar aventurën shumë të vështirë të kinemasë, që në filmin e tij të parë të shkurtër “Luleborë” kur unë për herë të parë isha producente lider e projektit, një film i cili na hapi dyert për të vazhduar më tej me filmin e tij të parë të metrazhit të gjatë “Agon””, pohon producentja Sabina Kodra, ku më pas ky film u përzgjodh nga Shqipëria për ta përfaqësuar atë në garën për Oscar në vitin 2014. Producentja tregon se të dy kanë ecur në rrugë të vështira dhe kërkesat kanë ardhur gjithmonë në rritje. “Por ajo që është më e rëndësishme, regjisori Budina përpiqet gjithmonë të gjejë shprehi të reja artistike në punët e tij, të thellohet në shpirtin njerëzor duke trajtuar probleme të mprehta me elegancë dhe maturi. Mënyra e tij kinematografike e të shprehurit të përfshijnë në çdo rast qoftë për nga emocioni, që përcjellin qoftë për nga imazhet e pasura, që nuk është e lehtë ti heqësh nga mendja për një kohë të gjatë. Mendoj se ky film e përfaqëson atë më së miri, dhe jam e bindur që kjo vepër ofron për të dy ne majën e karrierës sonë profesionale”, pohon producentja Sabina Kodra në lidhje me këtë projekt kinematografik. Për producenten filmi “Streha mes reve” i flet shumë fort shoqërisë sonë në tranzicion të dalë në një nga diktaturat më të egra komuniste, por edhe konteksti i bashkëjetesës fetare e bën atë sa universal dhe autentik./Julia VRAPI