Qeveria ka miratuar sot vendimin, pjesë e një pakete ligjore, që i ndalon cdo individi me rekorde kriminale, që të përfitojë fonde nga taksapaguesit shqiptarë në formën e tenderave apo koncesioneve.
Vendimin e njoftoi ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila theksoi sot ndryshimin e ri, sipas të cilit, nëse më parë “përjashtoheshin nga fitim i fondeve vetëm subjektet e dënuara, sot pjesë e përjashtimit do të jenë edhe aksionerët, administratorët dhe cdo individ me rol vendimmarrës në shoqëri tregtare që kanë qenë ose janë të dënuar”.
Bëhet fjalë për të dënuar për vepra të rënda penale, që lidhen me krimin e organizuar, terrorizmin, trafikimin dhe korrupsionin.
“Ndalohet cdo mundësi që kjo kategori individësh, qofshin në shoqëri tregtare, aksionerë apo përfaqësues të tyre të marrin para të taksapaguesve apo financime për aktivitetet e tyre. Me këtë paketë ligjore nuk do përftojnë tendera publike apo koncesione asnjë kompani që rezulton e dënuar si subjekt juridik, por edhe kur të dënuar i ka administratorë, përfaqësuesit drejtues apo aksionerët”- tha ajo, duke shtuar se e njëjta masë vlen edhe për investitorët strategjikë, përfituesit për lehtësi në turizëm, apo të ndihmës shtetërore.