Prokurorët e Apelit të Tiranës rrezikojnë të hedhin në erë reformën, refuzojnë për të dytën herë kandidimin në KLP, goditje ndaj SPAK dhe BKH

0
412

Ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe reforma në drejtësi po rrezikohen seriozisht. Ngërçi në të cilin është futur organi i ri i drejtësisë e detyroi kryeprokuroren Arta Marku të hapë dy herë garën për aplikime për prokurorët e Apelit të Tiranës. Por teksa gara e parë dështoi sepse askush nuk shfaqi interes, duket se edhe gara e dytë po ndjek të njëjtën rrugë. Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme i rihapi aplikimet në datën 13 tetor dhe prokurorët e Apelit të Tiranës kishin 15 ditë kohë për të aplikuar. Teksa kanë mbetur edhe katër ditë nga skadimi i afatit, asnjë prokuror nuk ka shfaqur interes, edhe pse Marku kërkoi që shpallja e re t’i dërgohej çdo prokurori në e-mailin zyrtar, duke i ftuar  vartësit e saj të aplikojnë për të zëvendësuar vakancën nga Prokuroria e Apelit të Tiranës. Kjo vakancë u krijua pasi kandidati i vetëm nga Apeli i Tiranës, Luan Kaloçi, u shkarkua nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Ligji e përcakton qartë që Mbledhja e Përgjithshme e prokurorëve të të gjitha niveleve zgjedh 6 anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë sipas raportit të mëposhtëm: tre prej të zgjedhurve janë prokurorë të shkallës së parë. Së paku 1 prej tyre është prokuror në një prokurori pranë gjykatës të shkallës së parë jashtë Tiranës; dy prej të zgjedhurve janë prokurorë të prokurorive pranë gjykatave të apelit, duke përfshirë edhe Prokurorinë e Posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Së paku 1 prej tyre është prokuror në një prokurori pranë një gjykate apeli jashtë Tiranës; një prej të zgjedhurve është prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Qoftë prokurorët e shkallës së parë, ashtu edhe ata nga Prokuroria e Përgjithshme janë të plotësuar. Problemi qëndron tek prokurorët e Apeleve, ku momentalisht ka vetëm një kandidat nga rrethet, por asnjë nga Tirana. Në datën 28 tetor aplikimet mbyllen, mirëpo prokurorët e Apelit të Tiranës po refuzojnë të bëhen pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Rrezikohet reforma në drejtësi

Mos-ngritja e këtij organi rrezikon edhe reformën në drejtësi. Me qëllim që kjo reformë të thellohet, t’i hapet rruga ngritjes së Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, duhet që më parë të ngrihet edhe KLP. SPAK dhe BKH ngrihen dy muaj pasi ngrihet KLP, ndërsa ky i fundit është organi që propozon prokurorët e SPAK. Por mesa duket prokurorët e Apelit të Tiranës janë bërë bashkë për të “hedhur në erë” reformën në drejtësi. Një arsye për mos-plotësimin e vakancës në KLP është edhe fakti që Prokuroria e Apelit të Tiranës ka në dispozicion vetëm 6 emra që mund të aplikojnë, pra është një numër shumë i vogël. Gjashtë emrat që mund të zgjidhin ngërçin e KLP janë: Dritan Peka; Edmond Hyka; Nezir Gjoka; Genti Xholi; Altin Dumani dhe Arben Qosja. Problemi qëndron tek fakti që asnjë prej tyre nuk ka hyrë akoma në veting dhe si duket, druhen nga kjo gjë. Një tjetër arsye që mund t’i pengojë prokurorët të aplikojnë në KLP është edhe ligji, i cili përcakton çdo anëtar i KLGJ, KLP, SPAK dhe BKH duhet të heqë dorë nga privatësia. Ata do të jenë në monitorim të rreptë, ku telefonat do të jenë në përgjim, kompjuterët do t’ju monitorohen ndërsa llogaritë do të skanohen. Në kushtet kur edhe numri i prokurorëve që mund të aplikojnë është shumë i ulët, nuk dihet sesi do të veprohet. Mbetet të shihet lëvizja që do të bëjë Arta Marku pasi afati i aplikimeve të skadojë./Mimoza IBRA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here