Kolegji i Posaçëm i Apelimit është vënë në lëvizje për rastin e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Pak ditë më parë Komisioneri Publik ankimoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe kërkoi në KPA shkarkimin e Zaganjorit. Në vijim të procedurave që duhen ndjekur, organi kolegjial ka caktuar me short trupën gjykuese që do të marrë në shqyrtim çështjen e Zaganjorit. “Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është regjistruar çështja (JR) nr. 23/2018, datë 19.10.2018 që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 46 datë 24.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Xhezair Zaganjori. Sot, në datën 23.10.2018, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, u hodh shorti për caktimin e trupit gjykues, kryesuesin e këtij trupi dhe relatorin e çështjes. Trupi gjykues i caktuar me short është i përbërë si më poshtë vijon: kryesues: Albana Shtylla, relator: Rezarta Schuetz, anëtarë: Sokol Çomo, Luan Daci, Natasha Mulaj”, thuhet në njoftimin e KPA. Tani mbetet vetëm të caktohet data për seancë gjyqësore, ku do të vendoset nëse kreu i Gjykatës së Lartë do të shkarkohet apo do të lihet në fuqi vendimi i KPK për rikonfirmim në detyrë, edhe pse janë konstatuar një sërë shkeljesh. Sakaq, KPA ka caktuar me short edhe trupën gjykuese për çështjen e ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza. “Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është regjistruar çështja (JR) nr. 22/2018, datë 19.10.2018 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Admir Thanza kundër vendimit nr. 40 datë 17.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Admir Thanza. Sot, në datën 23.10.2018, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, u hodh shorti për caktimin e trupit gjykues, kryesuesin e këtij trupi dhe relatorin e çështjes. Trupi gjykues i caktuar me short është i përbërë si më poshtë vijon: kryesues: Rezarta Schuetz, relator: Ardian Hajdari, anëtarë: Sokol Çomo, Ina Rama, Natasha Mulaj”, njoftoi Kolegji i Posaçëm i Apelimit.