Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Fierit, e cila për pak sa nuk ka shkaktuar një tragjedi familjare. Bëhet fjalë për një zjarr në një banesë në lagjen “8 shkurti” të këtij qyteti.
Policia thotë se djali i shtëpisë, i cili vuante nga problemet mendore, shtetasi A.D, 45 vjeç i ka vënë zjarrin shtëpisë duke mbyllur brenda nënën e tij dhe dy motrat, por ai është konstatuar nga policia dhe është arrestuar.
“Në datën 26.10.2018, rreth orës 01:12, në lagjen “8 shkurti” Fier ka rënë zjarr në banesën e shtetases F.D, 69 vjeçe. Shërbimet e policisë dhe zjarrfiksja bënë të mundur nxjerjen e familjarëve jashtë banesës dhe shuarjen e zjarrit.
Nga hetimet paraprake rezulton se zjarrin e ka vënë shtetasi A.D, 45 vjeç, djali i shtetases F.D, i cili pasi ka vënë zjarrin ka mbyllur derën e jashtme dhe po largohej nga banesa, por u konstatua dhe u kap nga shërbimet e policisë”,sqaron policia.
Familjarët e tjerë që ndodheshin në shtëpi, shtetasja F.D dhe vajzat e saj D.D, 38 vjeçe dhe B.D, 24 vjeçe,(të cilat nuk kanë pësuar dëmtime por vetëm shënja asfiksie) u dërguan në Spitalin Rajonal Fier dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.