Filmi “Delegacioni” u vlerësua si më i miri në Festivalin e Varshavës në Poloni, që këtë vit zhvilloi edicionin e 34. Me skenar shkruar nga i ndjeri Artan Minarolli dhe regji Bujar Alimani çmimi për filmin është pohuar si më i rëndësishmi për kinematografinë shqiptare. Por ndërsa urimet për filmin nuk munguan brenda dhe jashtë vendit, për kineastët Ministria e Kulturës ka qëndruar larg tyre. Regjisori Bujar Alimani pohon se ky ishte një sukses i kinematografisë shqiptare, por ai shprehet se ka munguar urimi nga ministrja Kumbaro. “Ministrja e Kulturës kur do promovon kinemanë. Ka përmendur shfaqje edhe në parlament, por me filmin “Delegacioni” çfarë ka ndodhur, kur çmimi në festivalin e Varshavës tejkalon çdo gjë që është bërë deri tani? Nga ministrja Kumbaro asnjë mesazh urimi në telefon. Në një vend normal artistët duhet të ishin pritur deri në Rinas. Unë pas pak javësh do të iki sërish në Nju Jork dhe do të vijoj punën time. Nuk ka ndryshuar gjë në ritmet e mia përveç lumturisë së brendshme”, pohon regjisori Bujar Alimani. Në reagimin e tij ai shprehet se vetëm pasditen e së martës ka marr një njoftim nga producentja, që stafi i filmit do të pritet të enjten në Ministri të Kulturës, por sipas tij edhe këtë herë ministrja Kumbaro është e vonuar. “Të martën pasdite producentja më tregoi se ishte një ftesë për stafin e “Delegacionit” për ta pritur në Ministri të Kulturës. Çmimi për filmin u dha më datë 20 tetor, dhe gjatë kësaj kohe ka pasur reagime, por vetëm pasditen e së martës një ftesë për të na pritur në ministri. Unë e quaj të vonuar këtë ftesë”, pohon regjisori Alimani. Më tej ai vijon se kjo heshtje mund të ketë qenë dhe për shkak sepse ai është shprehur në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. “Unë jam i depolitizuar nuk kam asnjë kahje dhe dëshirash politike, dhe kauza për mbroje të Teatrit Kombëtar ka qenë një qëndrim si qytetar. Puna ime është të bëj filma, por besoj që ky qëndrim ndaj meje vjen sepse jam shprehur dhe kundër shembjes së godinës së teatrit”, shprehet regjisori. “Warsaw Film Festival” konsiderohet një festival i kategorisë A. Mediat e huaja kanë bërë me dije çmimin për filmin shqiptar, por regjisori tregon se dhe ministrja e Kulturës në Greqi gjithashtu i ka bërë një e-mail falenderimi. “Ky është një lajm për kinematografinë shqiptare që nuk ka marrë ndonjëherë çmim më të madh. Mirëpo imagjinoni që ministrja greke e Kulturës ka nxjerrë një deklaratë për shtyp ku falënderon, si dhe ka dërguar email, ndërsa te ne asgjë zyrtare. Por ky është sukses kombëtar, sepse qeveritë shkojnë dhe vijnë, ajo nesër nuk do të jetë më ministre do të jetë dikush tjetër, por vlerësimi dhe çmimi për filmin është lajm, sepse do të jetë i vulosur në sukseset e artit tonë”, pohon regjisori Bujar Alimani.
Shteti të kthejë vëmendjen ndaj kinematografisë
Kineastët shprehen se duhet të ketë më shumë vlerësim për kinemanë shqiptare duke rritur dhe buxhetet për filmin. “Kinemaja shqiptare kërkon më shumë buxhet nga shteti. QKK duhet të ketë më tepër buxhet për filmat. Politika shqiptare duhet të rishikojë vëmendjen e saj karshi kinematografisë. Kam marr një mesazh nga regjisori Saimir Kumbaro, që shkruante: “suksese Bujar, sepse çmimi nuk është vetëm i yti, por i të gjithëve ne”” shprehet regjisori Alimani. Për regjisorin Kristaq Mitro kjo që bën Ministria e Kulturës me kineastët dhe kinemanë shqiptare po tregon se nuk e njeh sa duhet. “Unë jam në Vjenë dhe deri këtu është folur për festivalin e filmit në Poloni. Kam parë dhe mediat e huaja, që e kanë përcjellë çmimin. Por a e mendoni se çfarë bëhet jashtë, dhe në Shqipëri është tmerr. Unë kam folur dhe më parë dhe nuk kam se çfarë të them më. Të huajt kanë shkruar për filmin dhe ky vlerësim nuk është një gjë e vogël. Bota ëndërrojnë për ta marrë këtë çmim dhe ne e morëm me filmin. Bota na njeh, por Ministria e Kulturës duket se nuk e njeh kinemanë tonë”, pohon regjisori Mitro. Me një kast aktorësh si Viktor Zhusti, Xhevdet Ferri, Ndriçim Xhepa, Richard Sammel, Rovena Lule, Kasem Hoxha, etj, filmi trajton ngjarjet e rëndësishme, që ndodhën në Shqipërinë e viteve 1989-‘90.
Nga Julia Vrapi