“Fanatics”-at e kanë inatin me Halilin: Ndryshove 5 trajnerë, rezultati zero

0
506

Tifozët e Tiranës janë të frustruar nga zhvillimet në skuadër në këtë fazë të parë të kampionatit kombëtar të Kategorisë Superiore. Kemi të bëjmë me rezultate mjaft të dobëta të bardhebluve, ku në nëntë takime të luajtura kanë grumbulluar vetëm 8 pikë, duke qenë në vendin e shtatë në renditje, por brenda grupit të skuadrave që rrezikojnë rënien një kategori më poshtë.

Eksperiencën e hidhur të rënies nga kategoria Tirana e provoi në sezonin 2016-2017, duke shkaktuar dramë tek sportdashësit e saj, por si duket klubi ende nuk e ka marrë veten për të qenë pretendent dhe nuk ka zënë mend me sa duket nga dështimet. Edhe pse në verë u propogandua një skuadër e madhe, Tirana po vuan dhe nuk është aspak një skuadër që mund të fitojë titullin. Në rrjetet sociale, tifozët e grupimit “Fanatics” nuk reshtin së ironizuari presidentin e skuadrës Refik Halili. Madje në Vlorë, në ndeshjen kundër Flamurtarit që Tirana e humbi 1-0, tifozët bardheblu kishin shpalosur një banderolë ku ironizonin Halilin, duke shkruar se në dy vjet kishte ndryshuar 5 trajnerë dhe indirekt kërkonin kush është përgjegjësi. Pra linin të nënkuptuar se fajtori për ecurinë e dobët të skuadrës është vetë presidenti Halili. Megjithatë, në banderolën e tyre kishte diçka optimiste, pasi i uronin suksesi trajnerit të sapoardhur Ardian Mema. Kjo dëshmon se tifozët nuk kanë gjë kundër trajnerit, stafit apo zyrtarëve të klubit në tërësi. Problemi i tyre i vazhdueshëm ka qenë presidenti Refik Halili, të cilit i kanë dalë kundër që në momentin kur ai nënshkroi një marrëveshje me presidentin e Partizanit Gazmend Demi dhe me ndërmjetësimin e kryebashkiakut të kryeqytetit Erjon Veliaj për të lejuar Partizanin të zhvillojë ndeshjet e tij në stadiumin “Selman Stërmasi”, që sipas tifozerisë bardheblu është shtëpia e skuadrës së Tiranës. Kjo ka qenë një krisje e madhe mes tifozëve dhe presidentit Halili, por jo më pak të rëndësishme kanë qenë dhe rezultatet e dobëta të skuadrës në vitet e fundit, ku bardheblutë kanë fituar vetëm një kupë vitin e shkuar. Sa i takon ecurisë së tanishme të Tiranës, shifrat dhe pozicioni në tabelën e renditjes nuk kanë nevojë për koment. Duhet pranuar që drejtuesit e Tiranës i kishin bërë gabim llogaritë, kur deklaruan se do të shkojnë në Europë dhe se janë pretendentë për titull. Faza e parë dha verdikt ndryshe: 8 pikë në 9 ndeshje, më pak se 1 pikë për ndeshje, mesatare prej një ekip që lufton për mbijetesë. Kur është mbyllur vetëm faza e parë e kampionatit, pra shumë shpejt, Tirana ka hequr dorë nga objektivat e sezonit. E pranoi në një farë mënyre edhe trajneri i ri, Ardian Mema, i cili u shpreh pas humbjes në Vlorë se objektivat e Tiranës janë vendosur me trajnerin që iku dhe se tani do të shihet se çfarë mund të bëhet.

Por çfarëdo që të ndodhë, kjo Tiranë vështirë se do të bëjë ndonjë mrekulli dhe të rikuperojë pikët e humbura në raport me skuadrat e tjera. Para së gjithash, kontigjenti i Tiranës nuk të lejon të shpresosh për një skuadër më kompetitive në javët në vazhdim, për më tepër që dihet se gara bëhet gjithmonë e më e ashpër. Mbrojtja dhe sulmi kanë probleme të mëdha, që i shfaqin hapur në çdo ndeshje, siç ndodhi edhe me Flamurtarin. Pjesa më e madhe e përforcimeve e kanë vërtetuar se nuk janë lojtarë Tirane. Nga ana tjetër, duket gati e pamundur që klubi bardheblu të bëjë ndonjë blerje të fuqishme në merkaton e janarit. Së pari, sepse nuk e ka fuqinë financiare dhe së dyti se nuk është më një skuadër e preferuar për lojtarët me kualitet. Në sezonet e fundit ka humbur shumë nga pesha e fanellës së saj dhe këtë po e vuan gjithmonë e më shumë. Asnjë trajner në këtë gjendje nuk mund t’i bëjë derman kësaj skuadre. Tirana aktuale është jashtë objektivit dhe i vetmi motiv për vazhdimin e kampionatit është që të sigurojë sa më parë qëndrimin, për të mos përsëritur makthet e sezonit 2016-2017.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here