Ekipet kombëtare të moshave në futboll po na kthejnë 50 vjet prapa në kohë. Madje as para gjysmëshekulli nuk kemi qenë kaq të dobët në përfaqësimet kualifikuese europiane. Pas dështimit të skuadrës kombëtare Shpresa (U-21), e cila zuri vendin e parafundit në grupin e dytë kualifikues, si dhe dështimit të turpshëm të U-19 e cila pësoi tri humbje në grupin e saj eliminator e nuk shënoi asnjë gol, si dhe rezultateve mjaft të dobëta të Kombëtares A që drejtohet nga Kristian Panuçi, vjen një tjetër tronditje për ekipin kombëtar të 17-vjeçarëve,. Skuadra që drejtohet nga trajneri boshnjak Xhemal Mustedanagiç ka pësuar një humbje të turpshme sot në Elbasan përballë Çekisë U-17, duke u mundur me shifrat e thella 6-0 dhe duke e nisur mjaft dobët edicionin kualifikues të Europianit të kësaj moshe. Ishte një nga ndeshjet më të dobëta të ekipit tonë të 17-vjeçarëve, një humbje ku më mirë se gjithçka tjetër flet rezultati. Tanët nuk shkuan një herë në portën kundërshtare për të rrezikuar seriozisht ekipin mik, i cili luajti si në një seancë stërvitore, duke u tallur me kuqezinjtë e vegjël shqiptarë.
Ndeshja
Kombëtarja U-17 e Shqipërisë e nis me një humbje turpëruese fazën eliminatore të Europianit, që po zhvillohet në vendin tonë. Në takimin e parë ndaj Çekisë, e luajtur në “Elbasan Arena”, kuqezinjtë e rinj që drejtohen nga Xhemal Mustedanagiç u mposhtën me rezultatin e thellë 6-0, duke u shpërfytyruar që në pjesën e parë. Faza mbrojtëse e Shqipërisë linte për të dëshiruar, me numrin 8 të Çekisë, Vojatsçke, që vallëzonte sikur të ishte në një ndeshje stërvitore me një ekip amator në zonën e kuqezinjve. Ai realizoi dy golat e parë në minutat 13-të dhe 19-të, si dhe të tretin personal në fillim të pjesës së dytë. Zvoboda dhe Hlozek gjetën gjithashtu rrjetën në minutat 23-të dhe 42-të të pjesës së parë. Vasklav Sjek vulosi rezultatin 6-0 pak para se të mbyllej takimi. Diferencat në fushë ishin aq të mëdha, sa 17-vjeçarët e Shqipërisë e kishin të vështirë të organizonin aksione të rrjedhshme për t’iu afruan zonës kundërshtare. Sfida tjetër e Grupit 8 eliminator mes Azerbajxhanit dhe Norvegjisë përfundoi me fitoren 1-4 të nordikëve. Në ndeshjen e dytë në grup, Shqipëria do të përballet me Norvegjinë, më 26 tetor, po në “Elbasan Arena”.
Edhe Kombëtarja U-17 e femrave humbet turpshëm
Ndërkohë, mediat sportive analizojnë me skepticizëm situatën në lidhje me ekipin kombëtar të femrave të moshës deri në 17 vjeç. Bëhet fjalë për një neglizhencë financiare, sepse ekipet po konkurrojnë thjesht për statistikë, pra sa për të qenë si emër dhe numër, por rezultatet me humbje që shkojnë në 15-0 e më shumë janë shndërruar në turpërim të fanellës përfaqësuese. Faqja sportive “Vip Sport” madje kritikon FSHF-në se e ka krijuar këtë kombëtare vetëm për statistikë në UEFA e për të përfituar disa fonde më shumë prej saj. Për këtë arsye, ajo është lënë tërësisht pas dore, edhe pse kishte një premtim që brenda 4 viteve të ardhme do të krijohej një përfaqësuese e tillë që të kishte më shumë alternativa për kombëtaret e më të rriturave. Ishte premtim i FSHF-së ndaj UEFA-s se Shqipëria do të merrte pjesë në aktivitetet e saj me këtë grupmoshë. Shorti për turneun që po zhvillohet në Serbi është hedhur që në nëntorin e vitit 2017. E thënë ndryshe, ekipet kombëtare, qofshin këta të meshkujve, por edhe të femrave, po marrin rezultate mjaft të dobëta në aktivitetet ndërkombëtare të moshave, dëshmuar me disfata të thella e të turpshme. Kjo tregon mungesë përgatitjeje serioze, mungesë elementi të spikatur dhe punë e dobët organizative dhe e stafeve teknike.
Adriatik BALLA