Zv/ministri i Brendshëm paralajmëron arrestime të tjera: S’ndalemi këtu…

0
403

Zv/ministri i Brendshëm, Julian Hodaj gjatë një interviste në “Report Tv” paralajmëroi zhvillime të reja nga operacioni që u bë për goditjen e katër grupeve kriminale, ku u zbulua laboratori i heroinës në Has. Ai tha se përgjimet janë vetëm njëra nga provat që ‘gozhdon’ para drejtësisë grupin e Shijakut dhe të tjerët.

“Jemi në fazë hetimi dhe besoj që provat nuk janë vetëm ato, hetimet vijojnë. Pas fazës së parë që grumbulluam informacion dhe që solli arrestimet, puna vijon. Përgjimet janë një pjesë e vogël e asaj që mund të jenë në dosjen hetimore, do i shohim kur prokurorët do të paraqesin dosjen për gjykim.”, tha Hodaj.

Zv/ministri i Brendshëm tha se operacioni nuk u dekonspirua dhe kjo sipas tij është një arritje, pasi në operacionin që u zhvillua tre ditë morën pjesë mbi 1500 policë. “Operacioni nuk u dekonspirua dhe kjo është arritje, pasi në aksion ishin 1500 efektivë dhe shkoi shumë mirë’.

Ai tha gjithashtu se operacioni nuk do të ndalet me kaq duke premtuar të tjera goditje.

“Nuk ndalet ky operacion te ata që janë në duart e drejtësisë, por do të vijojë, pasi mund të ketë lidhje të tjera. Besoj që do të ketë zhvillime të tjera, ndoshta në këtë operacion, ndoshta te të tjerë.”

Nga operacioni ku u goditën grupi i Shijakut u zbulua bashkëpunimi i Avdylajve për heroinën në Has me Bajrajt në Shkodër dhe Ndokajt në Lezhë, por edhe në qarqe të tjera të vendit duke ngritur një strukturë të fortë kriminale. Grupi i Shijakut, ku në prangat e policisë ranë vëllezërit Astrit dhe Jasin Avdyli, ishte grupi që kishte porositur heroinën e Hasit.

Porositësit e heroinës me lëndë të parë turke dhe afganistanase që prodhohej në laboratorin e Hasit duket se ishin grupi kriminal Avdylaj në Shijak, të cilët po tentonin trafikimin e drogës së fortë në drejtim të Gjermanisë.

Familja Avdyli është pronare e dhjetëra bizneseve në Shijak, Durrës dhe disa qytete të tjera të vendit, mes tyre Flamur Avdyli zotëron kompaninë ‘Orges Albania 2016’ dhe hotelin luksoz ‘Germany’ në Durrës.

Lista e persona që kanë përfunduar pas hekurave është e gjatë dhe aty ndodhen anëtarë të 4 grupeve kriminale, me akuza që variojnë nga “trafiku i drogës” te “krijimi i organizatës kriminale” armëmbajtja pa leje” dhe deri te “tjetërsimi i pronave”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here