KAS “shpërfill” Skënderbeun, çështja e klubit korçar nuk shqyrtohet para dhjetorit

0
481

Skënderbeu po kalon një moment të vështirë, pasi klubit i janë ngritur në protestë lojtarët, të cilët kanë bojkotuar edhe stërvitjen në tentativën për të bindur klubin që t’u japë pagat e prapambetura. Sipas informacioneve që servirin mediat e shkruara sportive, klubi i ka vetëm ish-mesfushorit Sabien Lilaj mbi 100 mijë euro borxhe dhe bisedimet midis palëve për gjetjen e një zgjidhjeje po vijojnë. Ndërkohë, lojtarët kanë bërë protestën e parë me bojkot dhe presin reflektimin e klubit, në mënyrë që të marrin pagat e prapambetura.

Duket qartë se situata vjen pas një pasigurie të krijuar nga vendimi në pritje i paardhur ende i Gjykatës Sportive të Lozanës (KAS), i cili nuk ka marrë ende vendim për çështjen e pezullimit të Skënderbeut nga komisionet disiplinore të UEFA-s. Siç dihet, Skënderbeu është dënuar nga UEFA me 10 vjet pezullim në garat europiane, si dhe një gjobë prej 1 milionë eurosh. Në fillim KAS i Lozanës vendosi që Skënderbeu të mos marrë pjesë në Champions League, ndërsa më pas njoftoi se do të merrte një vendim të plotë në kohën e duhur. Edhe pse kanë kaluar kaq muaj vendimi nuk është dhënë dhe nuk duket të ketë për së shpejti ndonjë vendim për këtë çështje. Me siguri që Gjykata e Arbitrazhit Sportiv të Lozanës po e shqyrton këtë çështje me themel dhe është në periudhën e mbledhjes së informacioneve dhe analizës së tyre. Pra, e thënë ndryshe, te korçarët rëndon shumë edhe pasiguria rreth të ardhmes së klubit, sa i përket konfirmimit apo përmbysjes së vendimit të dalë nga UEFA për përjashtimin 10-vjeçar nga kupat e Europës. Bëhet fjalë për seancën dëgjimore në KAS të Lozanës që do të përcaktojë fatin e klubit korçar. Fillimisht mendohej se gjyqi do të zhvillohej në shtator, rreth katër muaj pas vendimit të dalë nga UEFA, e më pas në tetor, siç janë shprehur drejtuesit më të lartë të klubit. Por një gjë e tillë nuk ndodhi, ashtu siç duket se nuk do të ndodhë edhe gjatë nëntorit. KAS i Lozanës ka publikuar sot datat e reja të shqyrtimit të çështjeve që do të trajtojë së afërmi dhe deri në fundit të nëntorit janë regjistruar 19 çështje të cilat do të merren në shqyrtim. Asnjë prej tyre nuk është ajo mes Skënderbeut dhe UEFA-s, që do të thotë se edhe për muajin nëntor nuk do të ketë asnjë të re në këtë drejtim.

Në një kohë kur të gjithë lojtarët deklarojnë se presin vendimin e KAS për të vendosur se çfarë do të bëjnë në të ardhmen, në radhët e klubit korçar shtohet pasiguria dhe nëse vendimi nuk del para mbylljes së vitit, në janar mund të përjetohet një tjetër eksod nga radhët e kësaj skuadre. Gjithçka varet nga vendimi i KAS-it, pasi, në rast të mbetjes në fuqi të pezullimit që ka dhënë UEFA, atëherë Skënderbeu nuk do të mund të luajë në Champions apo Europa League dhe rrjedhimisht nuk do të ketë fitimet e mëparshme. Duke mos marrë pjesë në Europë lojtarët që duan të spikasin dhe të luajnë në nivel të lartë nuk mund të kenë preferencë të luajnë me një klub që nuk të çon gjëkundi, prandaj situata nuk është premtuese.

Një skuadër e dënuar nuk mund të afrojë në gjirin e saj lojtarët më të mirë, pavarësisht pagesave që mund të ofrojë. Në këtë kuadër, vendimi i Gjykatës Sportive të Lozanës pritet me interes të madh dhe me ankth në kampin korçar, sepse prej këtij vendimi varet dhe e ardhmja e skuadrës. Lojtarët janë të ndjeshëm ndaj gjendjes së krijuar dhe nëse Skënderbeu do të dënohet, pjesa dërrmuese e futbollistëve nuk do të rinovojnë kontratat me klubin korçar dhe kjo do të sillte rënien e cilësisë dhe rrezikun e rënies nga kategoria të ekipit bardhekuq. Për të evituar këtë drejtuesve do t’u duhet të gjejnë lojtarë veteranë që duan të mbyllin karrierën dhe që t’i paguajnë mirë, ose të rinj nga akademia që mund të spikasin në Korçë e më pas të kalojnë në klubet e tjera që kanë të drejtojnë të garojnë në kompeticionet e UEFA-s.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here