Bizneset 32 ankesa për 1 muaj në Ministrinë e Sipërmarrjes, ja institucionet më problematike për tatimpaguesit

0
488

Megjithëse qeveria “Rama” ka ndërmarrë disa masa në lehtësimin e klimës së biznesit, këta të fundit vazhdojnë të hasin jo pak probleme në raport me institucione të ndryshme. Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes raporton se në muajin shtator, pranë këtij dikasteri janë paraqitur 32 ankesa nga biznese të ndryshme. Sipas raportit të publikuar së fundmi nga kjo ministri, 16 prej këtyre ankesave kanë marrë zgjidhje, ndërsa pjesa tjetër janë trajtuar me ndjekje, verifikim dhe kthim përgjigje. Nga sa vërehet, ankesat e biznesit kanë të bëjnë kryesisht me tatimet dhe doganat, por nuk përjashtohen dhe institucionet tjera si QKB, ZRPP, ISHPM, APP, ADISA, etj. Afro gjysma e këtyre ankesave të regjistruara pranë Ministrisë së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes shihet t’i përkasin pikërisht fushës së tatimeve dhe doganave.

Si të ankohemi

Shqetësimet e biznesit tashmë nuk kalojnë pa u dëgjuar. Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes ka vënë në dispozicion prej 1 viti një mënyrë që ankesat e biznesit të arrijnë drejtpërdrejt pranë personit përgjegjës. Gjithçka çfarë një pronar biznesi duhet të bëjë është të drejtohet tek portali i kësaj ministrie, në faqen ‘Regjistri i Ankesave’. Këtu hapet një formular, i cili kërkon të dhënat e individit dhe të subjektit, si: emri, mbiemri, NIPT-i i biznesit, emri i administratorit, numri i letërnjoftimit, adresa elektronike dhe numri i telefonit. Më pas sipërmarrësi mund të shprehet për ankesën e tij, përmes një mesazhi ose mund të ngarkojë një dokument apo foto. Problematikat që bizneset mund të trajtojnë nuk duhet të kenë të bëjnë me çështje gjyqësore, pasi nuk janë në kompetencë të ministrisë. Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes trajton të gjitha llojet e problemeve apo ankesave që kanë lidhje me zvarritjet burokratike në dyert e administratës shtetërore.

Propozimet e Ministrisë së Shtetit

Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes pas disa tryezave sektoriale me biznesin ka dalë pak kohë më parë me disa propozime konkrete për përmirësimin e klimës së biznesit, për secilën nga fushat ku sipërmarrja ushtron aktivitetin në Shqipëri. Kështu, nga 81 propozimet e formuluara gjatë këtyre tryezave, 32 syresh u morën përsipër nga zv. ministrat përkatës për t’u ndjekur në hallkat e tjera drejt implementimit final të tyre. Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes sugjeron që grupet i interesit të jenë pjesë e vendimmarrjes, pasi mos zbatimi i vazhdueshëm i procesit të konsultimit paraprak dhe përgjatë miratimit të akteve ligjore dhe nënligjore me grupet e interesit është një realitet i cili shkakton problematika të qenësishme tek sipërmarrja, e cila kësisoj nuk përfshihet konkretisht në proceset vendimmarrëse. Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes propozon rishikim të ligjit për procedurat doganore mbi penalitetet dhe të drejtën e ankimimit me qëllim unifikimin e këtyre përcaktimeve sipas ligjit për procedurat tatimore. Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes propozon rishikimin e Ligjit nr.10 433, datë 16.6.2011 Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë, për parashikimin e inspektimit online në të gjitha fushat e inspektimit. Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes rekomandon rishikimin e Ligjit nr. 9723 dt. 03.05.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit” për fshirjen e detyrimeve të prapambetura për disa qindra fermerë e subjekte të agrobiznesit, subjekt i grantit në mbështetje të fermerëve Shqiptarë nga qeveria e Japonisë në vitet 1999-2005. Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes rekomandon gjithashtu rishikimin e Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë në disa nene të tij, përshembull: Rishikimi i 58 neneve që përcaktojnë gjoba për bizneset; Rishikim i masave të gjobave. (Nisin nga 20 rroga mujore deri në 250 rroga mujore.); Fleksibilitet më i lartë në zbatimin e orëve minimale, orëve jashtë orarit, dhënies së pushimeve; Lehtësimi i bizneseve nga detyrimet e kontrolleve mjekësore për punonjësit, përfshirë vendosjen e mjekut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here