BE jep 8 muaj kohë për të goditur korrupsionin, ambasadori Soreca nis takimet me krerët e politikës për përshpejtimin e reformës

0
447

Bashkimi Europian ka vënë 8 muaj afat për të zbatuar reformën në drejtësi dhe për të goditur korrupsionin. Dje ambasadori i ri i BE Luigi Soreca ka takuar kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi dhe ka kërkuar luftë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, Ambasadori Soreca nënvizoi se tetë muajt e ardhshëm janë vendimtarë për Shqipërinë. “Objektivi i BE-së është i qartë: Shqipëria duhet të jetë në BE dhe për këtë po punojmë të gjithë. Por për këtë duhen rezultate konkrete, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Reforma në drejtësi po lavdërohet për kurajën dhe përgjegjësinë që po demonstrohet për zbatimin e saj. Vetingu po funksionon, por është shumë e rëndësishme të krijohen organet e reja të sistemit dhe për këtë duhen shtuar përpjekjet. Përsa i përket reformës zgjedhore, ajo po shkon drejt përfundimit, por për këtë duhet që partitë të mbështesin më shumë Komisionin e reformës dhe të arrijnë një kompromis në të mirë të vendit”, tha ai. Ndërsa kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, informoi gjerësisht mbi veprimtarinë dhe kontributin e Kuvendit në tre aspektet kryesore: kurorëzimin me sukses të hapjes së negociatave në qershor 2019; vazhdimin me vendosmëri të reformës në drejtësi dhe procesit të vetingut; përfundimin e reformës zgjedhore. Sipas tij, Kuvendi është i angazhuar për realizimin e të gjitha detyrimeve të tij për kurorëzimin me sukses të hapjes së negociatave në qershor 2019.

“Pas publikimit të raportit me rekomandimet e Komisionit Evropian për Shqipërinë, në maj 2018, Kuvendi hartoi Planin e Veprimit me 6 objektiva dhe 46 masa për realizimin e tyre. Deri më 1 tetor janë realizuar 22 nga 37 masa të parashikuara për periudhën 1 maj-31 tetor 2018, ndërsa 15 masa janë në proces. 9 masat e tjera janë programuar të realizohen gjatë periudhës 1 nëntor 2018 – prill 2019. Kuvendi ka miratuar 7 ligjet prioritare që shoqërojnë amendimet Kushtetuese, përfshirë ligjin për vetinun, dhe në total ka miratuar 17 nga 27 projektligjet e reformës në drejtësi. Ndërkohë, Komisioni për Çështjet Ligjore ka në proces shqyrtimi 7 projektligje të reformës”, informoi Ruçi. Sipas tij, Ngritja e institucioneve të reja të reformës në sistemin e drejtësisë është i kushtëzuar nga procesi i vetingut si edhe konstituimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në lidhje me ecurinë e reformës zgjedhore, kryetari i Kuvendit nënvizoi se Komisioni i Reformës ka bërë një punë të shkëlqyer, por është i nevojshëm vullneti politik i partive, të cilat duhet të afrohen në qëndrimet e tyre, në emër të interesave të vendit. Pas takimit me Ruçin, Soreca u takua dhe me kreun e PD, Lulzim Basha, ku në fokus ishte përshpejtimi i reformës në drejtësi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here