Partizani rimerr kreun e Superiores, zhyt Kukësin në krizë serioze

0
457

Partizani është për titull, padyshim. E tregoi edhe një herë tjetër ndaj një kundërshtari direkt për trofeun dhe një prej ekipeve që cilësohen madje favorite. Skuadra e kuqe fitoi 1-0 ndaj Kukësit, një duel që kishte vlerë për kryesimin, por njëherësh dhe për të ballafaquar kapacitetet që kanë të dyja skuadrat këtë edicion. Dhe fitoi Partizani, duke dëshmuar se po rritet dhe me meritë është në krye të klasifikimit. Me përjashtim të Skënderbeut, në javën e parë, të gjithë kundërshtarët e tjerë janë dorëzuar para Partizanit. Kështu, në Elbasan në një stadium të boshatisur, me përjashtim të “Ultras Guerrils” që ishin si gjithmonë në mbështetje të Partizanit, të kuqtë kishin edhe fatin në anën e tyre, pasi duhet thënë se verilindorët luajtën disi më mirë dhe krijuan më shumë raste e volum loje se skuadra e Gegës por edhe njëherë tjetër për të 7-ën ndeshje radhazi portieri Alban Hoxha ishte thjeshtë i pakalueshëm me Partizani që ka mbrojtjen më të mirë në këtë sezon me vetëm një gol të pësuar edhe atë me penallti në ndeshjen e parë ndaj Skënderbeut. Pas një fillimi të mirë të Kukësit me Kalajan e Rexhinaldon që shpërdoruan dy mundësi të mirë, në rastin e parë të vërtetë Partizani gjeti golin, teksa në minutën e 20-të një aksion model i të kuqve i nisur nga Asani i “dirigjuar” nga Bardhi dhe i finalizuar nga Mala i dha epërsinë skuadrës së Gegës dhe merita shkon e gjithë për tre supertalentet e Partizanit. Në pjesën e dytë Kukësi iu afrua barazimit por fillimisht Kalaja e më pas Shafik nuk kishin saktësinë e duhur në goditje ndërsa pak minuta para fundit Alban Hoxha bëri heroin duke ndalur goditjen me kokë të kroatit Spehar. Në fund tre pikë të arta për Partizanin që kryeson renditjen me 19 të tilla pas 8 javësh, ndërkohë që verilindorët kjo ishte humbja e 3-të në këtë sezon dhe e dyta radhazi.

Gega: Fitore me peshë, por titulli është larg

Trajneri Skënder Gega nuk e fshehu lumturinë e tij për fitoren e Partizanit në duelin kundër Kukësit dhe duke qenë se mban kreun e renditjes ndihet dyfish i motivuar. Por Gega kujtoi se është ende herët të flitet për titullin, sepse kampionati ende nuk ka mbyllur një fazë garë. “Është ndjesi e mirë që jemi në vendin e parë, e kam theksuar që është fillimi dhe kemi 3 faza të tjera. Rëndësi ka që kemi ecuri të mirë dhe i urova çunat për shpirtin luftarak. Kukësi është një ekip i fortë, që na vuri nën presion, por gjërat shkuan siç i kishim parashikuar. Djemtë u përgjigjën dhe është grupi që po tregon se është në rrugën e duhur. Në këto 90 minuta patëm vështirësitë tona. Dua që lojtarët të azhornohen më shpejt. Mund ta godisnim prapë kundërshtarin. Ne kemi lojtarë me eksperiencë, por nuk është asnjëri bomber, prandaj bëjmë mirë në të gjitha fazat. Megjithatë, po sulmojmë dhe kemi finalizues. Jam i kënaqur dhe urova Bardhin, Asanin dhe Malën personalisht, pasi janë të rëndësishëm. Iu thashë se mund të shënonin përsëri, nëse besojnë te vetja. Por jemi ekip me të rinj”, u shpreh Gega. Më pas doli në pah roli i të rinjve, të cilët Gega i cilësoi punëtorë, por njëherësh ai komentoi dhe autorësinë e golave, ku në mungesë të një sulmuesi “pykë”, duket se ofensivën po e kompenson me lojtarët e reparteve të tjera. “Deri tani jam i kënaqur dhe kemi 3 faza të tjera. Kur ekipi të ketë nevojë për ndërhyrje ok, por jam i kënaqur. Personalisht, kam filozofinë që të kemi lojë kolektive. Çdo ndeshje ka pasur specifiken e vet dhe ka pasur vështirësi. Sot Kukësi ka luajtur mirë dhe na vuri në vështirësi. Ka ekipe të mira dhe nuk ua ul dot vlerat. Sidoqoftë, ne do të ndeshemi edhe 3 herë me ta. Protesta tek arbitri? Unë u them gjithmonë futbollistëve, sepse e di mirë, jam rritur këtu dhe marr më të mirat e asaj kohe: në fushë jepet pasqyrimi i asaj që jemi në hotel. Klubi ka kërkesat e veta dhe jemi shumë ok, pasi shumë njerëz kanë kontribute. Po zbatohen rregullat dhe kjo na bën optimistë”, shtoi Gega./ Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here