Juve skuadra më e fortë në Europë, diferencën e bën mbrojtja

0
534

Juventusi është skuadra më e fortë e momentit në Europë. Për këtë nuk ka pikë dyshimi, pasi “Zonja e Vjetër” italiane ka siguruar një grup fantastik lojtarësh që funksionojnë si trup i vetëm. Janë reparte të konsoliduara me lojtarë cilësorë, emra të spikatur të futbollit, të gërshetuar mirë me njëri-tjetrin dhe me një trajner që gjatë viteve të fundit ka njohur suksese të rëndësishme. Për më tepër, mbrojtjen që ka Juventusi nuk e ka asnjë ekip tjetër në Europë dhe kjo është vërtetuar me efikasitetin e këtij reparti si në kampionatin italian, ashtu dhe në duelet e Ligës së Kampioneve. Asnjë rival nuk i del dot para Juventusit, sepse “Zonja” i shkel me këmbë. Përveç kampionatit, janë njëherësh dy fitore bindëse në Champions që e bëjnë Juventusin një skuadër perfekte në këtë pjesë të parë të sezonit.

Pranohet dhe në shtypin sportiv kritik europian se ky Juventus është i frikshëm. 10 fitore në 10 ndeshjet e para ka bërë që tifozët bardhezinj të ëndërrojnë, duke menduar që tani jo vetëm për trofeun e Champions League, por edhe për 114 pikë në kampionat, ose e thënë ndryshe, 38 fitore, megjithëse, duhet pranuar, trajneri Masimiliano Alegri nuk është shumë dakord. A është e realizueshme kjo? Teorikisht po, por edhe praktikisht mundet, sepse Juventus ka një skuadër me të vërtetë të pathyeshme. Tekniku i “Zonjës së Vjetër” ka aktualisht skuadrën më të fortë të karrierës së tij, por gjithashtu është duke menaxhuar në mënyrë të shkëlqyer kampionët që ka në dispozicion.

Pavarësisht se është konsideruar gjithmonë si një person i cili parësor ka rezultatin, javë pas jave Juvja e Alegrit ka ditur të dhurojë edhe spektakël, përveç startit perfekt. Kampionët e Italisë kanë krijuar 125 mundësi në 8 ndeshje të Serisë A, afërsisht 16 raste shënimi për ndeshje, e sigurisht është e para në kampionatin italian. Në këtë klasifikim të veçantë, Juventus ndiqet nga Napoli me 114 raste, Roma me 107 dhe Milani me 102. Sigurisht, përveç sulmit, meritë të madhe ka ajo që ka qenë siguria më e madhe e bardhezinjve vitet e fundit, mbrojtja. Pavarësisht se kanë pësuar 5 gola, torinezët janë skuadra e cila i ka lejuar më pak gjuajtje kundërshtarëve, më saktë 72, e ndjekur nga Napoli me 78. Sigurisht, më të lumturit për këto statistika, përveç lojtarëve, janë drejtuesit e sidomos tifozët, të cilët kanë më se të drejtë për të ëndërruar suksesin në çdo kompeticion ku Juve merr pjesë.

Këto statistika të bindin se Juventusi është shumë lart në të gjitha aspektet, veçanërisht në mbrojtje. Një repart që s’të lë të afrohesh, krijon siguri për ekipin përpara, prandaj dhe sulmi është efikas sepse mbrojtja, mesfusha dhe sulmi gërshetohen më së miri tek ky Juventus. Nuk duhet harruar se yjeve bardhezi u është shtuar këtë sezon edhe një yll sulmues, siç është Kristiano Ronaldo. Edhe pse ka shënuar vetëm 3 gola në këto javë të para, portugezi mbetet pikë referimi e Juves në fazën ofensive dhe tani Ronaldo e ka kaluar ngërçin e ndeshjeve të para./ Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here