Zbardhet udhëzimi i Ramës për bazën dhe deputetët, furtunë në këshillat bashkiakë, ja si do të zgjidhen kandidatët në zgjedhje

0
438

Kryeministri Edi Rama ka vendosur të bëj revolucion në këshillat bashkiakë. Edhe pse na ndajnë dhe pak muaj nga zgjedhjet vendore të 2019, Partia Socialiste duket se nuk po humbet kohë pasi ka ndezur motorët përpara kohe. Kryeministri Edi Rama i ka shpërndarë bazës socialiste një udhëzim ku përcakton kriteret dhe parimet që duhet të përmbushin kandidatët për këshillat bashkiak. Gazeta ka mundur të sigurojë një kopje të këtij udhëzimi dhe aty thuhet se qëllimi i PS është që të mos fitojë vetëm bashkitë por edhe shumicën e këshillave bashkiakë. Në udhëzimin e shpërndarë kryeministri Rama, duke u ndalur edhe tek afrimet e reja në parti, i ka kërkuar bazës që të afrojë në gjirin e saj sa më shumë njerëz me integritet dhe me reputacion publik. Kjo për faktin që të ketë një përzgjedhje sa më të mirë të kandidatëve për këshilltarë të bashkive. Kryeministri Rama, në udhëzimin e shpërndarë i ka kërkuar gjithashtu bazës dhe deputetëve që të tregojnë kujdes në përzgjedhjen e kandidatëve. “Për një përzgjedhje sa më të mirë të kandidatëve për këshilltarë të bashkive është e domosdoshme që strukturat vendore të PS, drejtuesit e tyre në KS e në bashki dhe deputetët sipas qarqeve e bashkive, të tregojnë kujdesin dhe vëmendjen e duhur që gjatë periudhës parazgjedhore të tërheqin mendimin e anëtarësisë dhe të komunitetit vendor për të evidentuar dhe përzgjedhur kandidaturat më të mira të mundshme. Në funksion të këtij qëllimi udhëzojmë që të mbahen parasysh dhe të zbatohen parimet, kriteret dhe procedurat e mëposhtme”, thuhet në udhëzim.

Ja si do zgjidhen kandidatët në zgjedhjet vendore

Në udhëzimin e shpërndarë për bazën, kryeministri Rama ka përcaktuar edhe parimet dhe kriteret se si do të përzgjidhen kandidatët. Sipas udhëzimit procedura për përzgjedhjen e kandidaturave për organet e qeverisë vendore do të mbështetet në respektimin e normave statutore të partisë. Në kuadër të këtyre normave, Rama i ka kërkuar bazës që t’i përzgjedhin kandidatët sipas parimit të meritës; të përfaqësimit në shoqëri; sipas integritetit moral si dhe duke respektuar parimin e barazisë midis burrave dhe grave. Por krahas këtyre parimeve, kryeministri ka përcaktuar edhe kriteret që duhet të përmbushin kandidatët që PS dot zgjedhë për këshillat bashkiakë. Sipas udhëzimit si fillim ata duhet: të plotësojnë kërkesat e përcaktuara në Kushtetutë, në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë dhe në kërkesat e statutit të PS (Nenet 52 dhe 53); të kenë kontribut e angazhim politik dhe të kenë njohuri për programin e politikat e PS-së në nivel kombëtar e vendor; të kenë arsim të larë, të zotërojnë aftësi të spikatura profesionale e menaxhuese; të gëzojnë reputacion dhe të kenë mbështetje të gjerë në komunitet, jenë aktivë dhe të angazhuar për të njohur, ndjekur e zgjidhur problemet e komunitetit; të kenë njohuri mbi organizimin dhe funksionimin pushtetit vendor, aftësi drejtuese, organizuese e të punës në ekip, të zotërojnë eksperiencë për menaxhimin burimeve njerëzore e materiale; si dhe të ketë integritet moral dhe kurajo civile për të luftuar korrupsionin, abuzimet me pushtetin dhe shkeljet e ligjit. Ndërkaq, Rama thekson në udhëzim për bazën dhe deputetët që në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve të respektojnë me përpikmëri kriterin që kandidaturat të jenë nga anëtarësia e partisë. / Endri ARIZI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here