Komando i kapur në Kakavijë dyshohet se qëlloi në Bllok, pronari i lokalit rrëfen konfliktin nga ballafaqimi tek plumbat

0
733

Policia e Tiranës ka arrestuar një tjetër person të pranishëm në vrasjen e ndodhur në ish-Bllok, mbrëmjen e së enjtes. Geldo Hoti u prangos disa orë pasi u ndalua në pikëkalimin kufitar të Kakavijës, teksa po largohej drejt Greqisë. Sipas policisë, përveç komandos Merviol Bilo, në përplasjen e armatosur në ish-bllok me një të vrarë dhe dy të plagosur, Geldo Hoti ka qenë i pranishëm dhe ka shkrepur armën në përleshjen e s enjtes n lokalin e njohur n bllok. Ai u ndalua nga policia teksa po tentonte të dilte nga Shqipëria përmes pikës së kalimit kufitar të Kakavijës. Sipas burimeve, 37-vjeçari njihet si shok i komandos Bilo. Përmes një njoftimi zyrtar policia e kryeqytetit sqaroi se ka dyshime se 37 vjeçari ka qëlluar me armë zjarri në momentet e sherrit të dhunshëm ku u vra Fabiol Gaxha dhe u plagos Elvis Martinaj e Eljon Hato.

Hoti u ndalua nga forcat e policisë të pikëkalimit kufitar të Kakavijës mbrëmjen e së premtes, teksa po tentonte të largohej nga vendi drejt Greqisë. Ai do të procedohet për veprën penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”. 37 vjeçari Hoti është personi i tretë që prangoset nga policia për llogari të ngjarjes që tronditi kryeqytetin. Dy personat e tjerë të ndaluar për ngjarjen dhe të akuzuar për të njëjtat vepra penale janë të plagosurit Ervis Martinaj dhe Eljon Hato. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim të dashurin e këngëtares Elvana Gjata, Ervin Mata, si edhe Fabian Allushi dhe Marvjol Bilo.

Popesku: Martinaj dhe Mata u takuan miqësisht

Redi Popeskut, pronarit i lokalit në zonën e ish-Bllokut, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën dy të tjerë, ka dhënë dëshminë e tij ku ka treguar se si ndodhi ngjarja. Popesku, është dëshmitari okular dhe i vetmi që ka folur deri më tani me detaje, lidhur me debatin e ndodhur mes grupit të Ervis Martinajt dhe Ervin Matës, ky i fundit në kërkim bashkë me dy miqtë e tij, komandon Meviol Bilo dhe Fabio Alushin. Ai ka shpjeguar përpara oficerëve të policisë, se Ervin Mata i kërkoi që në lokalin e tij të vinte Ervis Martinaj, për t’u sqaruar për një konflikt që kishin mes tyre.

“Mesa kuptova ka qenë një konflikt ordiner për t’u sqaruar në lidhje me ngacmimin e së dashurës së Ervin Matës, Elvana Gjata. Gjithashtu dua të sqaroj momentin që para se të vinte Ervis Martinaj, mua më tha Ervin Mata, nëse e kisha problem që ai të vinte tek lokali im. I thashë se nuk kishte problem, pasi Martinajn e kisha të njohur. Dua të sqaroj se të dy këta persona, si Ervin Mata dhe Ervis Martinaj u takuan normalisht dhe nuk dhanë asnjë shenjë për konflikt. Pra u takuan miqësisht dhe nuk kishin tendencë që të tregonte se situata do agravonte siç ndodhi”, ka thënë Popesku në dëshminë e tij.

Më tej ai ka shpjeguar se debati fillimisht nisi mes njërit prej djemve që shoqëronte Martinajn, i identifikuar si Fabian Gaxha dhe komandos Meviol Bilo, që ishte në shoqërinë e Matës. Sipas Popeskut, pas debateve verbale, ata u konfliktuan edhe fizikisht, dhe ishte pikërisht personi që shoqëronte Martinajn, që nxori armën dhe qëlloi i pari. Krimi i rëndë që tronditi kryeqytetin, ka ndodhur në zonën ‘VIP’ të Lokalit, e cila rezulton të jetë e pambuluar me kamera dhe vetëm përmes dëshmive mund të hidhet dritë për atë sesi rrodhën ngjarjet. Në lokal nuk ka pasur as kamerier, pasi pjesëtarëve të dy grupeve u është shërbyer nga vetë Popesku. Pavarësisht faktit, se për momentin duket si një ngjarje e nisur për motive banale, prokuroria nuk përjashton edhe pistat e tjera, që mes grupeve mund të ketë pasur konflikte të mëparshme, e kanë shfrytëzuar momentin për të larë hesapet mes tyre. Kamerat e sigurisë, të instaluara në ambientet e jashtme të biznesit, pritet ta ndihmojnë prokurorinë për të zbardhur të plotë mekanizmin.

Ndërsa, për të hedhur dritë mbi motivet, institucioni i akuzës, ka në duar tre telefonat e sekuestruar nga të cilët mund të grumbulloje prova, mbi bazën e të cilave mund të drejtohet hetimi në ndonjë pistë tjetër. Nisur kjo nga fakti, se si vetë Ervis Martinaj dhe dy personat që e shoqëronin, Fabian Gaxha që mbeti i vrarë dhe Eljon Hato, i plagosur në spital, rezultojnë me precedentë të mëparshëm penale. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plot t kësaj ngjarje. Burime thon se Prokuroria e Tiranës ka kërkuar nga kompanitë celulare të dhëna për numrat celularë dhe tabulatet, që mbrëmjen e 4 tetorit kanë qenë në zonën e ish-Bllokut para dhe pas momentit të shkëmbimit të zjarrit, ku pati një viktimë dhe dy të plagosur. Nga hetimet e Prokurorisë dhe Policisë për zbardhjen e këtij krimi rezulton se Ervin Mata, Mevjol Bilo dhe Fabiol Alushi prej momentin të largimit nga vendngjarja i kanë të fikur celularët dhe prej dy ditësh ata janë persona në kërkim./ Elvis MYRTA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here