Skulptori Idriz Balani shpalos jetën artistike 43 vjeçare në një ekspozitë në Muzeun Kombëtar

0
837

Skulptori Idriz Balani prezanton para publikut në ekspozitën e tij personale rreth 65 vepra arti. Në Muzeun Historik Kombëtar, ekspozita përmban jo vetëm figura historike, por dhe personalitete të tjera, si dhe portrete të ndryshme. Vepra si Ismail Qemali, “Vallja e Osman Takës”, “Skënderbeu”, si dhe figura të tjera vijnë të punuara në bronz, mermer, etj. Ekspozita është e kuruar nga Skënder Boshtrakaj dhe skulptori Idriz Balani tregon se këto vepra që ekspozohen janë sintezë e jetës e punës artistike krijuese. Në ekspozitë pasqyrohet puna, duke filluar që nga veprat e para deri në ato të fundit, që janë pjesë e eposit heroik të popullit tonë në luftërat për çlirim. Skulptori Balani tregon se veprat që janë të ekspozuara nisin që nga viti 1975 dhe deri në ditët e sotme.

“Fillon me një portret në gur që unë e kam gdhendur kur kam qenë fëmijë në vitet 60, dhe me një foto të atyre viteve që jam me familjen time duke gdhendur. Pastaj janë punë që fillojnë nga viti 1975, që kam qenë të ngjarjet për 100 vjetorin e  Lidhjes së Prizrenit dhe të tjera. Është një periudhë kohore para viteve ’90 që ka disa vepra dhe më pas në ekspozitë vijojnë kryesisht pas vitit 2005 dhe deri në këtë kohë. Pra janë afërsisht 65 punime, që janë realizuar ndër vite nga 1975 deri në 2018 si hark kohor. Ka vepra të vogla, miniatura si dhe të mëdha”, tregon skulptori i njohur Idriz Balani. Me aktivitetin e tij jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Kosovë është i vlerësuar në skulpturë. Duke folur për jetën e tij artistike, skulptori Idriz Balani tregon se në punët e tij përcjell dhe origjinën çame. “Unë jam me origjinë jam çam dhe është një punë si “Vallja e Osman Takës” e realizuar para dy vitesh në mos gaboj. Duke qenë me orgjinë çam, ekspozita fillonte me prindërit e mi, me familjen ku shkruhej dhe Çamëri, Konispol, etj, dhe vinim deri te Bilal Xhaferri. Jam rritur me vallen e  Osman Takës si dhe me historinë e tij dhe kisha vite, që mendoja dhe erdhi momenti që u gjet zgjidhja”, pohon skulptori.

Krijimtaria ndër vite

Ekspozita personale e skulpturave të Idriz Balanit që u hap më 5 tetor do të qëndrojë e hapur deri më datë 10 të këtij muaji. Skulptori Idriz Balani tregon se një pjesë janë prezantuar për publikun më parë. “Nuk janë punë që të gjitha prezantohen për herë të parë. Përshembull puna me Skënderbeun e mora në Lezha dhe do ta kthej sërish, sepse është pjesë e konkursit”, vijon të tregojë skulptori Balani. Që nga mbarimi i shkollës e deri më sot skulptori Idriz Balani ka realizuar vepra artistike të ndryshme përmendim këtu Busti i Heroit të Popullit “Kozma Nushi”, i cili ka qenë i vendosur në lulishten para Fabrikës së Gomës në Shkozet Durrës. Busti i Dëshmorit “Telat Noga”, busti i rilindasit të shquar “Naim Frashëri” i vendosur në oborrin e shkollës së mesme të përgjithshme me të njëjtin emër po në Durrës. Triptikun në Basoreliev vendosur në fasadën e shkollës së mesme të përgjithshme “Leonik Tomeo”.

Me bashkautor Dhimitër Harallambi ka realizuar Lapidarin Monumental kushtuar Partizanëve të zonës së Kavajës vendosur në fshatin Çetë të Kavajës. Ka gdhendur disa portrete në mermer e gur të cilët janë në galerinë e qytetit si dhe të tjera ndër vite. Skulptori Idriz Balani, ka mbaruar studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura ( Instituti i Larte i Arteve Figurative ). Në kushtet historiko- kulturore që po kalon Shqipëria, në tranzicionin nga sistemi komunist në atë demokratik, shpallja e Pavarësisë së shtetit të Kosovës, si pjesë e kombit shqiptar, bëri të mundur që ky skulptor të thellohet në tematikën historike. Pjesë e krijimtarisë  së tij janë heronjtë dhe dëshmorët e kombit shqiptar në shekuj. Ka vepra të vendosura në Durrës, Fier e Sarandë në Shqipëri, si dhe në Prishtinë, Pejë, Deçan, Mitrovicë, Prekaz e Viti në Kosovë. Ka marrë pjesë në ekspozita, në kuadër të Akademisë Europiane të Artit në Paris, Zvicër e Belgjikë. Ka vepra në koleksione private në France, Itali, Greqi e Rumani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here