Leka Bungo: Do sjell në teatër trafikantët e shndërruar në deputetë, ja drama më e re që kam shkruar për këtë fenomen…

0
604

Në teatër më shumë vëmendje kanë veprat e dramaturgjisë së huaj për ti sjellë në skena se sa ato shqiptare. Një problem që për autorët dhe regjisorët e njohur ndikon jo pak në zhvillimin e dramaturgjisë shqipe. Në intervistën për “SOT” regjisori Leka Bungo tregon se në teatrin shqiptar janë një sërë problemesh që vijnë dhe nga politikat e repertorit. Sipas tij, nuk mund të quhet Teatër Kombëtar një institucion kur nuk ka vepra kombëtare në skenë. Regjisori Leka Bungo vijon se sot nuk kemi dhe një degë të dramaturgjisë shqipe në fakultet, por gjithashtu si dramaturg dhe regjisor Leka Bungo pohon se është dramatike, që sot kemi dhe regjisorë kasetash. Për këtë ai pohon se ndikon shumë dhe politika që ndiqet për jetën artistike të teatrit. Për regjisorin edhe projekti i TK “Netët e leximit të dramës shqipe” nuk përcjell atë që pritet për dramën shqipe. “Mjeshtër i Madh” Leka Bungo tregon dhe punën që ka nisur për një tjetër vepër shqiptare për ta sjellë në skenën e teatrit. Sipas tij është një vepër që përcjell mesazhe për shoqërinë sot.

-Po merrni me një tjetër projekt teatror, një dramë për të cilën keni nisur punën për ta sjellë në skenë. E shkruar nga ju kjo vepër teatrore, çfarë sjell në ngjarjen e saj?

Drama e shkruar nga unë titullohet “Prostituta”. Një dramë, që unë dua të sjell në skenën e  teatrit. Një dramë, e cila rrek të cekë një nga problemet me të nxehta të kohës, që jetojmë. Drama rrek të prekë problemin e trafikimit të qenieve njerëzore, kjo është në qendër të saj. Në ngjarjet e saj vepra tregon një femër, që është trafikuar në moshën 16 vjeçare. Drama fillon kur ajo kthehet nga Italia në Shqipëri, dhe vjen për tu hakmarrë ndaj atij që e çoi në Itali, por atë e gjen deputet. Ai ka qenë dikur skafist në Vlorë dhe kur vjen në Shqipëri e gjen deputet. Hakmarrja që kërkon të bëjë ajo është krejt origjinale sipas mendimit tim. Ajo përcjell një mesazh, që është pothuajse edhe në Bibël i shënuar, që do të thotë njerëzit duhet të falin jo të hakmerren, kjo është një nga tezat e Biblës. Unë këtë e kam shtruar si problem në konfliktin themelor të dramës, dhe kjo tenton të përçojë mesazhin e saj, që njeriu duhet të falë dhe jo hakmerret. Mirëpo hakmarrja sipas personazhit kryesor është si orgazëm për njerëzit, dhe lufta që bëhet është ndërmjet dy ndjenjave të fuqishme, që ekzistojnë te njeriu, falja dhe hakmarrja. Dhe personazh kryesor në vepër veç kësaj gruaje është prifti, që mishëron këto ide që trajtohen te Bibla, që është pro faljes dhe zemërgjerësisë dhe kundër hakmarrjes. Por hakmarrja e kësaj gruaje është e veçantë.

Ajo është e sëmurë nga SIDA, dhe është shumë e pasur, sepse nuk është prostitutë më. Por pasi ka prostituar në trotuaret e Milanos një milioner plak italian, që e merrte në kështjellën e tij bie në dashuri dhe e merr për grua. Kjo tashmë bëhet e pasur, sepse ai ndahet nga jeta dhe i lë pasurinë. Pasi kanë kaluar vite kjo vjen milionere në Shqipëri dhe kërkon ish gjoja të shoqin, që e mashtroi duke i thënë se do martoheshin, por e çoi prostitutë në Itali. Por e gjen deputet kur vjen në Shqipëri, dhe kur ajo rrëfehet në kishë dhe ia tregon priftit qëllimin pse ka ardhur nga Italia. Prifti më pas në të gjithë konfliktin e veprës është një personazh, që është më afër korit grek se sa personazh real, që tregon veprën, por hyn dhe në aksion në konflikt me vajzën, dhe është ai që ndikon në transformimin e mendimeve të saj, për të kaluar nga një femër që ka ardhur e vendosur për tu hakmarrë në një që më në fund mendon që duhet të falë. Këtë projekt unë do ta bëj në mënyrë të pavarur jo me teatrin, sepse nuk çaj dot. Një vepër, që dua ta realizoj për qejfin tim.

-Kur e ke shkruar këtë vepër?

E kam shkruar para tetë vitesh kur isha në Nju Jork. Vepra ka vërtetë mesazh të kohës, por nuk është e lehtë këtu të çash me dramën shqipe.

-Pse?

Sepse në përgjithësi sipas gjykimit tim janë komercializuar shumë marrëdhëniet e autorëve krijuesve me teatrot profesioniste. E shikoj se është shumë  e vështirë të sjellësh vepra në skena. Kur them janë komercializuar, kam parasysh që është shumë më e thjeshtë për një teatër të vërë në skenë një dramë të huaj, e cila si dramaturgji e ka të garantuar suksesin, nuk po flas për spektaklin, por veprën. Shekspiri e ka të sigurt suksesin me “Hamletin” kurse si spektakël është tjetër problem. Del mirë apo keq, kjo varet nga platforma regjisoriale dhe nga profesionalizmi i tij. Po kështu është e njëjta pamje dhe me veprat kontemporane. Janë shumë më të thjeshta për regjisorët dhe teatrot, sepse e para e punës dhe nuk janë raste të pakta, që shumë syresh janë vepra komerciale me pak personazhe. Nuk kërkojnë shpenzime, mbështetje financiare sepse aktorët duhen paguar, dhe bëhen vepra me 2-3 personazhe që janë bërë tashmë në modë, dhe 90 përqind komedi, që janë të natyrës spekulative, sepse spektatori është më i tërhequr dhe i prirur për të ndjekur komedinë se sa vetë dramën. Por më e keqja dhe është dramatike, që disa janë regjisorë kasetash. Po ta përkthesh me gjuhën time, është që merr një vepër përshembull të Zhan Pol Sartrit që është vënë në skenë në dhjetë teatro në Europë dhe sot në youtube gjenden të gjitha veprat, ky që i thotë vetes regjisor e shikon këtë vepër sa në një vend në një tjetër dhe përzgjedh si kokrrat e rrushit dhe e vë spektakël.

-Ka pasur artistë, që janë shprehur se 70 përqind është produkti teatror mediokër në skena. Në gjykimin tuaj si e shikoni, përgjegjësia ku shkon?

Përgjegjësia është politika e repertorit. Kryesisht është kjo politikë, që në Shqipëri është e mbështetur te drejtorët ose formalisht te bordet. Por në fakt politikën e repertorit duhet ta bëjnë bordet te teatrot në vend. Në radhë të parë ajo është që është më dramatike dhe emergjente, është thirrja në skenë e dramës shqipe. E kam thënë dhe do ta them sa të kem mundësi. Nuk ka llogjikë që në Shqipëri aq më shumë në Tetarin Kombëtar të mos ketë vepra kombëtare. Nuk mund të ketë Teatër Kombëtar me vepra ndërkombëtare. Kjo është serioze dhe vjen për shumë arsye. E para nga politika e lehtë që zgjedhin për të përzgjedhur atë repertor, që është shumë atraktiv për spektatorin shqiptar, vepra të mirënjohura, vepra që e kanë njohur suksesin në skena të botës. Pra vepra të provuara në skenë, sepse është vështirë për të vënë një vepër që nuk është e provuar, dhe nuk është e lehtë për një regjisor apo teatër, sepse është hera e parë. Kurse kështu janë gjysmë të garantuara me suksesin kur janë vepra të vëna në skenë.

-Sipas jush në këto kushte, ku po shkon dramaturgjia shqipe?

Dramaturgjia shqipe duhet nxitur në skena me të gjitha mënyrat. Ne nuk kemi në fakultet një degë për dramaturgjinë shqipe. Ne prodhojmë aktorë me qindra dhe nuk prodhojmë asnjë dramaturg, mungon një degë që duhet të nxjerrë dramaturgë në fakultet. Përveç shkollës që mungon është dhe festivali kombëtar i veprave shqipe. Mund të organizohet shumë mirë një festival me vepra shqiptare një herë në dy vjet. Këto vepra, që mund të vihen në skenë mund të mos jenë të gjitha të mira, por 1, 2, 3 mund të jenë serioze, dhe kështu mund të rilind dhe të ngrihet dramaturgjia shqiptare si ata fëmijët që rriten. Por problem tjetër është që vepra  e shkruar nga një dramaturg kur është e mbaruar nuk është se këtu mbaron misioni i teatrit apo autorit. Vepra nuk është e mbaruar asnjëherë, edhe pse autori mund ti ketë vënë pikën. Teatri është laborator dhe aty përpunohen të gjitha gjërat. Edhe një nga veprat më serioze në botë si “Tri motrat” është shkruar në teatër. Por ky bashkëpunim, kjo kërkesë, ky laborator në Shqipëri nuk bëhet fjalë, dhe mungon në mënyrë absolute. Nuk e merr njeri mendimin, që ta krijojë këtë lloj laboratori, sepse është më e lehtë kur merr një shfaqje ta vësh në teatër, që është vënë më parë dhe ka pasur sukses, e klikojnë në youtube dhe e vënë në skenë. Teatrot ushqim kryesor kanë dramën, pa atë nuk mund të bëhen. Teatri shqiptar ka një marrëdhënie jo profesionale siç janë krijuesit dhe teatri. E kam thënë dhe e them, që nuk ka një llogjikë që të lihet vepra shqipe, sepse mungon. Nuk arrij ta kuptoj. Është ironi që të kemi Teatër Kombëtar me vepra ndërkombëtare.

-Prej disa vitesh jetoni në Shqipëri, sa ka ndryshuar situata e teatrin?

Është po njëlloj situata me teatrin, është sa komike dhe dramatike. E njëjta pamje për mua për teatrin në vend. E them sërish politikat e repertorit i bën vetë teatri, jo një individ. Shpesh këtu janë viktima të mendimeve private të drejtorëve në teatër, që bordet i kanë dhe treçerek formale që si marrin mendimin. Komizmi arriti në Teatrin Kombëtar kur vajta te “Netët e leximit të dramës shqipe”, që për mua ishte kinezëri. Unë isha prezent tek “Netët e leximit të dramës shqipe” që e mburrën, dhe nuk kishte asnjë anëtar të bordit, dhe ata që e dëgjuan nuk diskutoi asnjëri, dhe mbaroi. Por çfarë llogjike është kjo? Ja u bë festivali, ku kishte vepra shqiptare? Ishin 14 në skena dhe dy shqiptare? Ishte një raport i llahtarshëm. E dhimbshme kjo për dramën shqipe. Por për teatrin ka një luftë absurde midis të rinjve dhe të vjetërve.

-Pse?

Kjo është shumë komike. Të rinjtë, të cilët janë duke ardhur e mendojnë se rrezik jemi ne që jemi duke ikur. Por kjo nuk ka llogjikë, sepse ne jemi duke ikur. Dhe ka të rinj, që janë më pleq se ne dhe ata janë të rrezikshëm, sepse ata po vijnë dhe do rrinë dhe 50 vjet në tavolinë. Ndërsa ne edhe po të jemi të paaftë edhe dy vjet do rrimë dhe do ikim, nuk i prishim punë dramaturgjisë  dhe teatrit, aq sa i prishin ata që janë të rinj, por janë pleq në profesion. Po të vësh re afishet e teatrove janë të rinj regjisorët, edhe pse mes tyre ka dhe shumë të talentuar si Driada Dervishi, por ama ke të tjerë që janë të rinj, por si njeh njeri. Por kemi dhe regjisorë me emër, që rrinë jashtë në kafe dhe janë jashtë liste dhe nuk i njeh njeri. Ka regjisorë seriozë, që kanë vite që si angazhon njeri. Janë emra seriozë, dhe rrijnë kot në kafe sepse si afron njeri dhe kjo është gjynah.

 Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here