“Çështja e Babales”, Astrit Patozi kritika të forta kreut të PD / Zbulon qëllimin e Bashës

0
549

Ish-deputeti i Partisë DemokratikeAstrit Patozi nuk ka qëndruar në heshtje lidhur me çështjen “Babale” të publikuar nga PD, ku vëllai i ministrit të Brendshëm është përgjuar në një bashkëbisedim me një trafikant që del në rolin e të penduarit dhe tregon se në Vlorë hashashi është sheshit, por që kjo e fundit rezultoi e gjitha një sajesë

Patozi ka sulmuar ashpër Bashës, pasi sipas tij ai ka shkatërruar Partinë Demokratike.

Postimi i Patozit

Bëje revolucionin, po pate këllqe, o derdimen, por jo për Babalen. Se partia, që ke privatizuar dhe i ke marrë emrin me qera prej 5 vjetësh, nuk e bëri dot atë as kur i vranë Azem Hajdarin.

Kërkoj ndjesë për krahasimin, por e tillë është katandisja e Partisë Demokratike në drejtimin e njeriut të gabuar, 20 vjet pas vrasjes së Liderit të Dhjetorit.

Sepse ky është një sistem që në pushtet duhet të vish vetëm me votë, edhe këtu nuk është puna se të merr në telefon Trump-i apo Merkel-i, siç e shpjegon ti shkakun e shtyrjes së revolucionit.

Vetëm ti mund ta bësh që t’i detyrosh njerëzit të zgjedhin mes asaj që thotë një trafikant ordiner dhe akteve të një prokurori, qoftë ky edhe djali i Aranit Çelës. Se ti mendon që publiku nuk ka nevojë që t’i japësh prova dhe fakte, kur je kundër qeverisë. Dhe je gati t’i hidhesh në fyt vetë apo përmes rrogëtarëve të kunatit kujtdo në Shqipëri, që ka dyshimin më të vogël për versionin e Babales.

Po edhe sikur të mos ishe personazhi që, sipas Ilir Metës, të gënjen edhe për orën, ku ke parë e dëgjuar ti që opozita ta detyrojë popullin që ta pranojë me zor pretendimin e saj?

Domethënë, ti po na thua se kush beson Babalen tënd është shqiptar i mirë, ndërsa ata që e vënë në dyshim janë shërbëtorë të Edi Ramës dhe të krimit të organizuar, apo jo?

Domethënë ti po i fton shqiptarët në referendum, e doni apo nuk e doni Babalen, dhe i qartë për rezultatin e tij në favor, po fton të gjithë fansat e vlonjatit të famshëm që të ngrihen e të përmbysin me forcë Edi Ramën?

Bëje revolucionin, po pate këllqe, o derdimen, se ka një mijë arsye, përveç Babales, që kjo qeveri ta meritojë plotësisht të rrëzohet.

Por të lutem shumë, mos cakto datë, as muaj, dhe as vit, sepse koha është e pamëshirshme. Ajo ikën shpejt, duke i dhënë të drejtë gjithmonë Ilir Metës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here