Zbardhet drafti i PS për reformën zgjedhore, depolitizohen komisionerët dhe ulet numri i anëtarëve, kufizohen shpenzimet në fushatë

    0
    508

    Zbardhet drafti i Partisë Socialiste për reformën zgjedhore. Pas shumë aludimeve mbi diskutimet e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, dje është zbardhur drafti me 52 ndryshimet në Kodin Zgjedhor që PS do të depozitojë në Kuvend së shpejti. Në draftin e siguruar nga gazeta, socialistët nuk kanë propozuar ndryshim për sistemin zgjedhor. Por ashtu siç edhe gazeta e ka deklaruar, një nga risitë që socialistët kanë propozuar është depolitizimi i administratës zgjedhore. Socialistët në draftin e hartuar kanë kërkuar që përzgjedhja e anëtarëve të KZAZ-së, të Komisionit të Qendrës së Votimit dhe anëtarëve të Grupeve të Numërimit të Votave të mos bëhet më nga partitë politike, por të bëhet me short. Sa i takon numrit të anëtarëve dhe procedurës PS ka propozuar që KZAZ-ja të përbëhet nga 4 anëtarë nga 8 që ka aktualisht, dhe përzgjedhja e tyre të bëhet vetëm pasi ata të kenë kaluar kurset e trajnimit si administratorë zgjedhor. Ndërsa për Komisionin e Qendrave të Votimit, PS ka kërkuar që të ketë 3 anëtarë nga 7 që ka aktualisht, si dhe 2 anëtarë për Grupet e Numërimit të Votave, të cilët do të zgjidhen me short nga KZAZ. Ndërkohë në draft thuhet se në të treja rastet, modalitetet dhe procedurat e shortit do të përcaktohen nga KQZ. Por një ndryshim tjetër që PS ka kërkuar ka të bëjë me shitblerjen e votës. Edhe pse u diskutua për masa sa më të rënda për të ndaluar këtë fenomen, PS ka propozuar që në kodin e ri çdo kryetar partie përmes një deklarate të firmosur të betohet solemnisht që nuk do të përfshihet në një veprim të tillë.

    Kufizohen shpenzimet në fushatë

    Por krahas këtyre propozimeve, një ndryshim tjetër që kanë kërkuar socialistët ka të bëjë shpenzimet elektorale. Në draftin që shumë shpejt do të dorëzohet në Kuvend, socialistët kanë kërkuar që të ketë një kufizim të shpenzimeve në fushatë. Sipas propozimit të PS, shuma e shpenzimeve të bëra nga një parti politike, përfshirë kandidatët e saj, për një fushatë zgjedhore nuk duhet të jetë më shumë se 2 herë më e madhe se shuma më e lartë që ka marrë një subjekt zgjedhor nga fondet publike. PS ka kërkuar gjithashtu që çdo shpenzim zgjedhor i bërë nga partitë apo kandidatët të dokumentohet pavarësisht datës se kur është bërë. Ndërkaq, një masë tjetër e re që PS ka propozuar në Kodin e ri Zgjedhor është se partitë politike nuk do të lejohen të marrin fonde nga persona juridikë apo kompanitë që kanë përfituar koncesione gjatë tre viteve para zhvillimit të zgjedhjeve. Por krahas këtyre masave, PS ka propozuar që partitë të mos bëjnë reklama politike kundrejt pagesës 3 muaj para zgjedhjeve, ndërsa institucioneve shtetërore nuk do t’u lejohet gjatë kësaj periudhe transmetimi i reklamave të paguara apo financuara prej tyre. Sakaq, PS ka propozuar ndryshime edhe sa i takon respektimit të barazisë gjinore. Duke mos dashur ripërsëritjen e skenarëve si ai i Beratit apo Lezhës, ku deputetet femra hiqnin dorë nga mandatet për tua lënë atë meshkujve, PS ka propozuar që mandati t’i kalojë kandidatit me të njëjtën gjini në listat e partisë aleate, me herësin më të lartë. Ndërkohë të martën ky draft paraprak i reformës zgjedhore do t’u prezantohet faktorëve politikë dhe ndërkombëtareve, të cilët do të japin dhe mendimin përfundimtar mbi këto amendime. Ndërkohë që PD ka deklaruar se është tërhequr nga diskutimet për reformën zgjedhore.

    Endri Arizi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here