KPK i ndërpreu vetingun këshilltares së Gjykatës Kushtetuese, Komisioneri Publik del kundër dhe e çon çështjen tek KPA

0
430

Komisioneri Publik doli dje sërish kundër vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Ky i fundit pak ditë më parë vendosi të ndërpriste procesin e vetingut për këshilltaren ligjore të Gjykatës Kushtetuese, Valbona Bala, por Komisioneri Publik nuk bie dakord, duke kërkuar kështu nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që këshilltarja t’i nënshtrohet vetingut.

“Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ka ushtruar ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 65, datë 13.09.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Valbona Bala (Pajo), këshilltare ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e Komisionerit Publik. Sipas Komisionerit Publik, vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është marrë në zbatim të plotë të dispozitës së nenit G të Aneksit të Kushtetutës. “Në vlerësimin e Komisionerit Publik, pjesa urdhëruese e vendimit nr.65, datë 13.09.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nuk është marrë në zbatim të plotë të dispozitës së nenit G të Aneksit të Kushtetutës, si dhe praktikës gjyqësore orientuese të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese. Bazuar në përmbajtjen e pikës 3 të nenit F të Aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Komisioneri Publik nëpërmjet këtij ankimi kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, që kjo mangësi në vendimmarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të korrigjohet, pas shqyrtimit të çështjes në seancë gjyqësore. Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, përfundon njoftimi i Komisionerit Publik.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here