Raportuesi për Shqipërinë në PPE, eurodeputeti Eduard Kukan i ka dhënë dje ultimatum opozitës që të rikthehet në Kuvend. Në një intervistë të dhënë për TVSH, eurodeputeti Kukan duke u ndalur tek çështja e negociatave, u shpreh jo optimist për Shqipërinë. Sipas Kukan bojkoti i Kuvendit nga ana e opozitës dhe mungesa e dialogut politik mes palëve po e dëmton akoma më shumë integrimin e vendit të BE. Ai tha se Shqipëria mund ta bindë Këshillin e Ministrave të BE-së vetëm përmes realizimit të reformave. “Do të ishte e gabuar të interpretonim këtë vendim si automatik, pra që Shqipëria merr menjëherë datën për çeljen e bisedimeve në qershor, gjatë takimit të Këshillit të Ministrave të BE-së, vitin tjetër. Ky vendim nuk u shty për të marrë fuqi, qershorin tjetër. Do të ketë sërish një vlerësim të situatës se si po shkon procesi i reformave në vend. Për rastin e Maqedonisë, ishte referendumi për emrin dhe mosmarrëveshjet që kanë me Greqinë. Për rastin e Shqipërisë, mendoj se do të mbeten të njëjtat çështje mbi tryezë: Si është situata në vend, si ecën dialogu politik mes aktorëve kryesorë dhe duke parë se si është situata tani në vend, unë nuk jam dhe aq optimist. Ne e shohim se një parti po bojkoton Kuvendin, herë pas here, çfarë nuk është fare e mirë”, u shpreh eurodeputeti Eduard Kukan. Më tej eurodeputeti u ndal edhe tek situata e zgjedhjeve vendore. Ai lëshoi një mesazh për politikanët shqiptarë duke u kërkuar që të zbatojnë tërësisht rekomandimet që kanë marrë nga BE. Sipas Kukan zgjedhjet vendore do të përbëjnë një test për Shqipërinë nëse BE do të vendosë që të nisë bisedimet për integrimin me Shqipërinë apo jo. “Mesazhi im ndaj politikanëve tuaj për zgjedhjet lokale është që të zbatojnë tërësisht rekomandimet që i kanë marrë. Ky përbën një tjetër test për Shqipërinë e jam i sigurtë se do të shihet mbarëvajtja e tyre për vendimin e Këshillit për nisjen e bisedimeve, Qershorin e ardhshëm, për mënyrën se si u organizuan zgjedhjet, a ishin të lira e të ndershme, si ishte atmosfera politike në prag të mbajtjes së tyre, a ishte normale, a pati ekzagjerime, apo parregullsi, e kështu me radhë”, tha Kukan.
Eurodeputeti: Vetingu në politikë i pakuptimtë
Nisma e opozitës për të ndryshuar sërisht Kushtetutën për çështjen e vetingut në politikë, duket se nuk ka kënaqur ndërkombëtarët. Eurodeputeti Kukan, teksa e vlerësoi si ide, ngriti shqetësimin se nuk e di se çfarë po synon opozita me këtë nismë. Sipas Kukan ideja e opozitës është e pakuptimtë pasi politikanët e korruptuar dje të lidhur me krimin i lufton ligji i dekriminalizimit. “Me shumë sinqeritet, unë nuk e di me të vërtetë se çfarë do të thotë kjo. Ideja në themel më duket korrekte. Politikanët e korruptuar e me sjellje të keqe nuk mund të kenë vend në politikë. Pajtohem me këtë. Pak kohë më parë, punuam për dekriminalizimin e parlamentit, që dha ca rezultate. Është një ide e mirë, por unë nuk e di se si do të mund të zbatohej kjo, mbase ata kanë sugjerime për këtë se si duhet bërë”, u shpreh Kukan. Pra duket se përmes këtij qëndrimi eurodeputeti ka hedhur përfundimisht poshtë idenë e opozitës, e cila po synon që përmes kësaj nisme t’i jap një goditje reformës në drejtësi pasi po merr kompetencat e SPAK dhe BKH.
Endri Arizi