Dy anëtarët e KED mbrojnë veten para KPK, Jangulli mohon zvarritjet e proceseve gjyqësore, Lubonja justifikon dhuratat

0
367

Dy anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ahmet Jangulli dhe Sotiraq Lubonja mbrojtën vetë veten e tyre përballë trupës gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Fillimisht Ahmet Jangulli u përpoq të justifikojë numrin e lartë të ankesave që kishin mbërritur për të. Sipas tij, ka një pasaktësi të këtij numri sepse Inspektorati i Lartë i KLD ka qenë në vazhdimësi jo-korrekt në raport me të.

Ai argumentoi se nuk kishte zvarritur çështje, por kishte trajtuar padi komplekse dhe konflikte pronësie, ku lënda nuk ishte proces administrativ. “Nuk kam asnjë ankesë nga policia për zvarritje të gjykimit,” mohoi ai. I pyetur nga gjyqtarja Bekteshi për ekzistencën e dy dokumenteve të ndryshme të të ardhurave të bashkëshortes në Tatime për të njëjtin vit, Jangulli u përgjigj se kjo parregullsi ishte korrektuar në vitet 2009 dhe 2014 në ILDKPKI. “Kjo që ju po thoni u është bërë me dije tatimeve dhe ILDKPKI. Nuk bëhet fjalë për të shmangur fitimin dhe tatimet. Nuk ma kërkuan dokumentin e pagesës së tatimet në shtet, ndaj s’e kam sjellë. Nuk ka asgjë të papaguar shtetit”, iu drejtua Jangulli relatores Bekteshi. Pavarësisht problemeve të konstatuara në seancë, gjyqtari Ahmet Jangulli tha se gjatë karrierës së tij të gjatë, ai ishte munduar që të respektonte në maksimum ligjet dhe se e shihte veten jo vetëm pjesë të sistemit të drejtësisë, por me cilësi për të konkurruar për institucionet e reja. “Kam pasur modeste me burime të ligjshme”, tha gjyqtari, ndërsa kërkoi konfirmimin në detyrë. Rikonfirmimin në detyrë kërkoi edhe Sotiraq Lubonja, duke dhënë edhe sqarime për dhuratat nga nëna dhe vjehrri.

“Në lidhje me dhuratën e nënës, ato ishin kursimet e shtëpisë gjatë viteve dhe buxhetin e shtëpisë e mbante dhe e administronte nëna ime. Në momentin që u sëmur, mi kaloi mua. Në lidhje me dhuratën e vjehrrit, janë kursimet e tij ndër vite. Nuk ka prekur asnjë pension sepse la dy nipër të mitur këtu. Vjehrri ka në pronësi të tij një makinë 25 mijë euro. Në SHBA kanë paga marramendëse. Kanë ftuar fëmijët e mi dhe kemi udhëtuar të gjithë bashkë. Me 100 dollarë në Amerikë han bukë sa të duash”, tha Sotiraq Lubonja

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here