Zbardhet raporti, DAP fut në skaner punonjësit e pushtetit vendor, në fillim të 2019 ristrukturim pagash në administratë

0
673
Drejtoresha e Departamentit te Administrates Publike, Albana Kociu, duke folur gjate nje konference me teme "Mbeshtetje per Reformen e Sherbimit Civil ne Shiperi". /r/n/r/nDirector of the Department of Public Administration, Albana Kociu, speaks during a conference entitled "Support to Civil Service Reform in Albania".

Departamenti i Administratës Publike do të fusë në skaner të gjithë punonjësit e pushtetit vendor. Gazeta ka arritur të sigurojë një raport të DAP, ku është bërë një plan për të gjitha aktivitetet që pritet të ndërmerren përgjatë periudhës 2018-2020. DAP ka në plan që gjatë kësaj periudhe të kryejë një analizë për gjendjen aktuale dhe rishikimin funksional të institucioneve të administratës shtetërore, ku në fokus do të jetë organizimi i brendshëm i tyre. Midis të tjerash aty bie në sy se Departamenti i Administratës Publike do t’iu kushtojë një vëmendje të veçantë punonjësve të pushtetit vendor gjatë vitit 2019, duke skanuar punën e tyre për shërbimin e ofruar ndaj qytetarëve. “Hartimi dhe miratimi i kuadrit për vlerësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike; Pilotimi i zbatimit të kuadrit për vlerësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike pranë institucioneve të qeverisjes qendrore; Zbatimi tek bashkitë pilot dhe faza e stabilizimit: (i) Numri i bashkive që aplikojnë programin e ri të shërbimeve on-line te ofruara nga sportelet unike; (ii) numri i shërbimeve të ofruara; marrja e masave për: rritjen e nivelit të zbatimit të ligjit për nëpunësin civil, për të gjitha subjektet e përfshira në këtë ligj si edhe për aplikimin e unifikuar të instituteve të tij, në njësitë e qeverisjes vendore”, thuhet në raportin e DAP. Departamenti i Administratës Publike ka po ashtu në plan të rrisë kapacitetet e institucioneve për të përfshirë edhe konsultimin e publikut. Në këtë objektiv përfshihet edhe pushteti vendor, ku do të kontrollohet sesa është numri i bashkive që aplikojnë sistemin e matjes së performancës mbi përfshirjen dhe konsultimin e publikut në vendimmarrjen e qeverisjes vendore. Me pak fjalë, DAP do t’iu kërkojë llogari bashkive sesa e respektojnë qytetarin, sesa cilësor është shërbimi i ofruar prej punonjësve të bashkive ndaj qytetarëve dhe çfarë shërbimesh ofrojnë.

Ristrukturim pagash

Një tjetër objektiv që Departamenti i Administratës Publike planifikon ta përmbushë në fillim të vitit 2019 është edhe ristrukturimi i pagave. Në fokus, DAP do të ketë që përmes kësaj lëvizjeje, të rishikohen raportet mes pagës maksimale dhe asaj minimale që të ketë edhe motivime për pozicione drejtuese. “Hartimi dhe miratimi i një dokumenti për politikat në sistemin e pagave dhe miratimi i strukturës së re të pagave. Miratimi i vendimeve të reja për pagat dhe zbatimi i strukturës së re. Rishikimi i raporteve mes pagës maksimale dhe pagës minimale/mesatare në administratën publike, me qëllim ruajtjen e një piramide objektive të pagave dhe motivimin e pozicioneve drejtuese, si edhe diversifikimi i klasifikimit sipas përmbajtjes së punës”, vijon më tej raporti i siguruar nga gazeta. DAP parashikon gjithashtu që përgjatë periudhës 2018-2020 të fuqizojë strukturat e administratës publike, duke shtuar staf pune me qëllim që të rritet edhe cilësia e shërbimit të ofruar për publikun. “Rritja e kapaciteteve në fushën e zbatimit të legjislacionit të shërbimit civil si dhe lehtësimi i procedurave në zbatim të tij: Forcimi i kapaciteteve të DAP dhe strukturave të menaxhimit të burimeve njerëzore për të udhëhequr strategjikisht reformën e shërbimit civil; Vënia në funksion të plotë të SMIBNJ dhe zbatimi i planit të veprimit. Shtrirja në shkallë të gjerë e SIMBNJ dhe përmirësimi i sistemit”, thuhet në raportin e Departamentit të Administratës Publike.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here