Përfundon referendumi në Maqedoni, dalje e ulët e votuesve

0
489

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në orën 18.30 në referendumin për marrëveshjen me Greqinë për cështjen e emrit kanë votuar 34.09 për qind e trupit të përgjithshëm votues.

Rezultatet e plota mbi daljen në votime dhe rezulatin do të kumtohen pas përpunimit të plotë të të dhlnave nga Komisioni Shtetëror të Zgjedhjeve.

Komisioni për shqyrtimin e parregullsive në referendum ka pranuar 10 denoncime për parregullsi në procesin e votimit. Sipas kreut të Komisionit, prokurorit, Xhelal Bajrami parregullsitë e paraqitura kanë të bëjnë me fotografimin e personave që kanë votuar, fotografimin e vendvotimeve dhe presione ndaj votuesve. Rasti më i rëndë është regjistruar në Shkup ku një person ka penguar 3 policë në kryerjen e detyrës.

“Presim që policia të dorëzojë dokumentet në Prokurori dhe personi do të ndiqet për vepër penale”, tha prokurori Xhelal Bajrami.

Rreth 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote janë ftuar t’i përgjigjen pyetjes: “A jeni për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjen me Greqisë”.

Zaev: Sot festë e vërtetë, pres konfirmimin e politikës euroatlantike

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev pas votimit në referendumin e së dielës, ka shprehur besimin e plotë se votimi do të jetë i suksesshëm dhe se me këtë do të plotësohet dëshira e qytetarëve për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE.

“Sot është festë e vërtetë. Unë pres që përmes masovitetit në votime, me pjesëmarrjen e madhe, edhe një herë të konfirmohet uniteti multietnik i qytetarëve tanë dhe uniteti i përgjithshëm politik i qytetarëve pa dallim përkartësinë politik….Unë besoj se një shumicë e madhe e qytetarëve do të jenë PËR pasi më shumë se 80 për qind e qytetarëve janë për NATO-në dhe BE-në.Unë besoj se kjo shumicë dërrmuese sin ë cdo demokraci, do të jetë një udhërrëfyes i saktë, për ne politikanët dhe për Kuvendin që t’i ndjek dëshirat e qytetarëve dhe në fund.

“Kuvendi do të votojë për këtë dëshirë të tyre, pasi atje konfirmohet e ardhmja jonë”, ka deklaruar Zaev pas votimit në Strumicë, qytet në jug të Maqedonisë.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti votimin e të dielës e ka vlerësuar si historik për të ardhmen e vendit, sigurinë, paqen dhe mirëqenien e qytetarëve. Pas votimit në Zajas të Kërcovës, Ahmeti ka thënë se pret që nga 1 tetori Maqedonia të jetë më pranë BE-së dhe NATO-së.

“Ky është një moment historik për vendin tonë dhe besoj se këtij procesi të rëndësishëm qytetarët me qetësinë më të madhe edhe do t’i përgjigjen..Unë pres që qytetarët në këtë referendum të vendosin për të ardhmen e tyre”.

“Në të gjithë jemi angazhuar që nga 1 tetori Maqedonia të jetë pranë vendeve ku ne aspirojmë, pranë Bashkimit Evropian, por edhe pjesë e NATO-s, që Maqedonia të ecë para, por edhe të realizoj qëllimet e veta historike për të instaluar paqen të qëndrueshme, siguri për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, investime e zhvillim ekonomik “, ka deklaruar Ahmeti.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka thënë se me votimin e sotëm Maqedonia, sipas tij, do të shkëputet nga e kaluara për të ecur rrugës drejt vlerave evropiane e perendimore.

“Kjo ditë është e rëndësishme për faktin se një herë e përgjithmonë do të kemi një shkëputje nga e vjetra drejt të ardhmes. NATO dhe BE nënkupton më shumë demokraci, më tepër liri, më tepër mendim të lirë, më pak procese të montuara politike, më shumë shtet të së drejtës, më pak drejtësi me dy standarde, më shumë drejtësi për të gjithë dhe ndalje e migrimit që për cdo ditë po e mbyt shoqërinë”, ka deklaruar Sela pas votimit në Strugë.

Votimi zhvillohet në 3.480 vendvotime, të cilat janë hapur në orën 7:00 të mëngjesit ndërsa do të mbyllen në orën 19:00 të mbrëmjes.

Referendumi ka karakter konsultues, por bazuar në dispozitat kushtetuese, dalja në referendum duhet të jetë mbi 50 për qind të trupit të përgjithshëm votues, edhe pse për këtë ka pasur debate e interpretime të ndryshme, nëse me daljen eventuale nën 50 për qind do të konsiderohej i dështuar ose jo.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here