UISH: Nuk kanë ikur 2000 infermierë nga Shqipëria, shifrat e publikuara në media nuk qëndrojnë

0
731

Lajmi se nga Shqipëria kanë ikur 2000 infermierë dhe deri në dhjetor ikin edhe 4000 infermierë të tjerë është i pavërtetë. I këtij mendimi është shprehur Urdhri i Infermierit të Shqipërisë, i cili përmes një deklarate të posaçme për shtyp rreth kësaj problematike, ka sqaruar se këto shifra nuk qëndrojnë.

“Urdhri i Infermierit të Shqipërisë, si përfaqësuesi ligjor i profesionistëve infermierë, ku ata pajisen me Lejen e Ushtrimit të Profesionit në Shqipëri, por dhe me vërtetimet përkatëse për t’u punësuar jashtë shtetit del sot me këtë deklaratë për shtyp për të sqaruar opinionin publik, por edhe anëtarësinë e vet”, citon deklarata. Duke saktësuar më tej se “organi i vetëm që mban regjistrin e profesionistëve të kujdesit është vetëm UISH”. “Ne shohim me shqetësim lajme të ndryshme në media lidhur me largimin e infermierëve jashtë shtetit, se nga Shqipëria kanë ikur 2000 infermierë dhe deri në dhjetor ikin edhe 4000 infermierë. Ky lajm është i pavërtetë. Këto shifra nuk qëndrojnë. Kanë ikur infermierë jashtë shtetit, janë përgatitur dhe po përgatiten edhe të tjerë, por ne kemi këtu regjistrin e atyre që marrin dokumenta për jashtë dhe për këtë vit ky numër është 750 profesionistë, nga të cilët jo të gjithë kanë ikur, por kanë përgatitur dosjet për të ikur, pasi të marrin nivelin e gjuhës. Për ne, lëvizja e infermierëve jashtë shtetit nuk përbën shqetësim, pasi sipas regjistrit tonë ne kemi sot rreth 6500 infermierë të licencuar në pritje për punësim dhe çdo vit, kjo shifër rritet, pasi nga shkollat tona dalin çdo vit 1000-1200 profesionistë”, sqarojnë më tej drejtuesit e UISH. Duke drejtuar apelin se askush nuk duhet të japë shifra të pasakta me qëllime që ata vetë i dinë. “Ne i kërkojmë Shoqatës së Infermierëve të jetë më korrekte, më institucionale dhe më bashkëpunuese. Disinformimi publik nuk i shërben askujt”, përfundon deklarata zyrtare e UISH.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here