Ndizet lufta për KQZ, PS fut në programin e punës së Kuvendit shkarkimin e Klement Zgurit, Mediu mesazh Bashës

    0
    430

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të kthehet në një mollë sherri mes mazhorancës dhe opozitës. Pakti i 17 majit prishi balancat në KQZ dhe tani që ky pakt ka mbarur, pritet që të nisë sërish një betejë e fortë për zotërimin e këtij institucioni. Të dielën u bë e ditur se 4 anëtarëve të KQZ u mbaron mandati dhe duhet të zgjidhen emrat e rinj. Bëhet fjalë për Bledar Skënderin, të propozuar nga PS, Hysen Osmanajn dhe Vera Shtjefnin, të propozuar nga Partia Demokratike, si dhe Gëzim Veleshnjën, të propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Në pamje të parë duket se thjesht do të bëhet zëvendësimi, por nuk do të ndodhë kështu. PS momentalisht është në minorancë në KQZ dhe ajo do të kërkojë 3 anëtarë zyrtarisht, pasi ja garanton ligji. Në nenin 14 thuhet se 3 anëtarë duhet t’i ketë mazhoranca dhe 3 opozita. Ndërkohë që kryetari zgjidhet me procedurë të veçantë dhe përgjithësisht ka qenë i partive qeveritare. Momentalisht në KQZ si anëtare e PS rezulton vetëm Edlira Jorgaqi, pasi Denar Biba në momentin që ndërroi vendet me Klement Zgurin kaloi si përfaqësues i Partisë Republikane. Në këtë mënyrë LSI rrezikon të mbetet pa përfaqësues, pasi PS do kërkojë që të propozojë ajo pasardhësit e zotit Veleshnja dhe zotit Skënderi, në mënyrë që të shkojë në 3 numri i përfaqësuesve, siç e parashikon ligji. Nëse ndodh kjo, atëherë topi kalon në opozitë. Sipas ligjit, 2 këshilltarë i takojnë partisë më të madhe opozitare dhe i treti propozohet nga partitë tjera opozitare, pra PR dhe LSI. Basha duhet të vendosë, nëse do bëjë një ndarje të përfaqësuesve, ku një ta ketë PD, një PR dhe një LSI, apo PD të ketë 2 përfaqësues. Nëse ndodh kjo e fundit, i bie që LSI del jashtë loje, pasi nuk propozon dot asnjë emër. E vetmja zgjidhje është që PD të kërkojë shkarkimin e Denar Bibës, duke qenë se është i PR në letër. Por nëse ndodh kjo, mazhoranca mund të shkarkojë Klement Zgurin. Për këtë të fundit një vit më parë u propozua një projektvendim shkarkimi, por u shty. Në kulmin e debateve rezulton se ky vendim është në programin e punës së Parlamenti, deri më 12 tetor. Kjo do të thotë se mazhoranca nëse do, mund ta shkarkojë dhe të marrë ajo kryetarin dhe 3 anëtarët. Gazeta foli dje me kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Ai tha se tani i takon kreut të opozitës të vendosë nëse do ketë përfaqësues PR apo LSI. “Ja kemi lënë në dorë zotit Basha. Duhet të vendosë ai sesi do bëhet ndarja në KQZ”, tha Mediu për gazetën.

    Parashikimet në ligj

    Kodi Zgjedhor në nenet 14 dhe 15 ka përcaktuar qartë emërimin e anëtarëve të KQZ. Sipas nenit 14, 2 anëtarë propozohen nga partia më e madhe në mazhorancë, në këtë rast PS. Dhe 2 nga partia më e madhe në opozitë, në këtë rast PD. Dy anëtarët e tjerë propozohen nga partitë e tjera në mazhorancë përveç PS dhe nga partitë e tjerë në opozitë, përveç PD. Duke qenë se PS është e vetme, i takon asaj anëtari i tretë. Ndërsa sa i takon opozitës duhet të ketë një luftë PR-LSI, duke qenë se PDIU nuk ka deputetë në Parlament, sepse ata dolën të pavarur. Por gjithçka është në dorë të Bashës dhe Ramës. Nëse shkarkohet Klement Zguri, atëherë LSI hyn në lojë. Nëse jo, partia e Metës nuk do ketë përfaqësues në KQZ. Nëse Basha kërkon largimin e Bibës, kjo sjell dhe largimin e Zgurit dhe pastaj ripërtërihet e gjithë KQZ, ku mazhoranca merr 3 anëtarë dhe kryetarin, ndërsa Basha duhet të vendosë mes LSI dhe PR.

    Kliti Topalli

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here