Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të mblidhet ditën e sotme për të shqyrtuar ankimimin për ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha. Sipas një njoftimi të nxjerrë në kalendarin e KPA, në orën 10:00 do të gjykohet në dhomë këshillimi çështja për ankimim që subjekti i rivlerësimit, Fatmir Hoxha ka bërë kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
KPK vendosi pak kohë më parë që Fatmir Hoxha të shkarkohej nga detyra për shkak të problemeve me pasurinë, mirëpo ai iu drejtua Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për të kërkuar rrëzimin e vendimit të komisionit të vetingut dhe rikthimin në detyrë. Mbetet të shihet se çfarë vendimi do të marrë sot trupa gjykuese e përbërë nga Albana Shtylla, Ina Rama, Luan Daci, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz për Fatmir Hoxhën. Megjithatë duhet theksuar se deri tani, për të gjithë emrat e shkarkuar që i janë drejtuar KPA, ky i fundit ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të KPK.