Parada ushtarake, Xhaçka demonstron rëndësinë që NATO i ka dhënë Shqipërisë

0
406

Ditën e sotme në kryeqytetin shqiptar po zhvillohet parada ushtarake ku marrin pjesë rreth 1200 ushtarë nga Britania e Madhe, Kroacia, Kosova dhe Forcat e Armatosura shqiptare. I pranishëm në paradën që po zhvillohet në sheshin “Nënë Tereza” është edhe kryeministri shqiptar Edi Rama. Parada madhështore e “Albanian Lion 2018” ka sjellë zbarkimin në kryeqytetin shqiptar të shumë mjeteve ushtarake, helikopterëve dhe rreth 1200 ushtarëve

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka u shpreh se ne jemi të qartë për orientimin tonë pro perëndimor, ndërsa shtoi se modernizimi i bazës ushtarake të Kuçovës është konfirmim i rolit dhe rëndësisë së Shqipërisë në NATO.

“Përshëndes 1200 ushtarakët e përfshirë në këtë stërvitje dhe u uroj mirëseardhjen. Reputacioni i marinës britanike është i mirënjohur, shpreh falënderimin për bashkëpunimin. Kjo stërvitje shërbeu jo vetëm për partnerët tanë. Për tre javë bazat tona ushtarake kanë pasur këta mysafirë të veçantë dhe janë bërë arenë e stërvitjes sonë të përbashkët. ‘Albanian Lion 2018’ vjen edhe si rritje e ndërveprimit me fqinjët, ne jemi të qartë për orientimin tonë pro perëndimor. Vendi ynë, pavarësisht përmasave mbetet me kontribute të rëndësishme në NATO. Pas 9 vitesh pjesë e NATO-s Shqipëria po kontribuon. Modernizimi i bazës së Kuçovës është konfirmim i rolit dhe rëndësisë së vendit tonë duke marrë në konsideratë faktin, që është e vetmja bazë e NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Kjo është rrjedhojë e seriozitetit. Nga nëntori i këtij vitit do të marrim kryesimin e qendrës për siguri dhe koordinim, në 2019 do të marrim kryesimin e Kartës së Adriatikut”, u shpreh Olta Xhaçka.

NATO do të ndërtojë në Kuçovë bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Bardhyl Kollçaku u shpreh se, “Këto dy javë kanë qenë intensive, shpirt luftarak dhe niveli bashkëpunues. Jemi krenarë që FA ka treguar nivelin më të lartë të mundshëm duke mos u dalluar nga partnerët tanë’.

Ndërsa gjeneral majori britanik tha se, “Shqipëria është një vend shumë i bukur. Shqipëria luan një rol kyç. ‘Albanian Lion 2018’ është mundësi për grupin për dislokimin, për forcat e marinës për të kontribuar dhe vlerësuar gatishmërinë. Kjo është një përvojë për ushtarët e të dyja vendeve, në dy javët e shkuara, kemi pasur trupat të bashkuara në taktika të ndryshme me cilësi të lartë trajnimi”.

Gjatë paradës forcat ushtarake kanë kryer edhe disa demonstrime në prani të personaliteteve dhe qytetarëve që ndodheshin në sheshin Nënë Tereza për të ndjekur aktivitetin. Stërvitja e trupave ka filluar që më datë 9 shtator, duke shfrytëzuar bazat më të rëndësishme ushtarake të Shqipërisë, që nga bazat detare të Kepit të Palit, Pashalimanit, Porto Palermos, gadishullin e Karaburunit, bazat ajrore të Rinasit e Farkës, garnizonin e Zall-Herrit si dhe rajonin stërvitor të Bizës. Qëllimi i kësaj stërvitjeje është realizimi i operacioneve të evakuimit jo luftarak nëpërmjet detit dhe ajrit duke përfshirë anije luftarake zbarkuese, helikopterë dhe forca speciale për veprimtaritë në tokë.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj