Shefi i furnizimit të mjeteve të gazsjellësit TAP, A.B. 44 vjeç, nga Kallmi i Fierit është shpallur në kërkim nga Policia si autori kryesor i vjedhjes së naftës dhe tregtimin e saj tek persona të tjerë.
Policia e Korçës ka njoftuar sot se ka shpallur në kërkim shtetasin A.B., pasi ka arrestuar personin të cilit ai ia shiste naftën e vjedhur në kompaninë ku punonte, 25-vjeçarin Martin Elezi, banor i fshatit Floq të Korçës.
“Arrestimi i Martin Elezit u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e banesës së tij iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1500 litra karburant (naftë), sasi të cilën ky shtetas ia kishte blerë shtetasit A.B, i cili duke shpërdoruar detyrën në mënyrë të përsëritur. Dyshohet se ka vjedhur sasi të konsiderueshme karburanti nga mjetet e TAP-it, duke e shitur më pas këtë sasi tek shtetas të tjerë.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Korçës.
Gjithashtu bëhet e ditur se materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale” parashikuar nga nenet 135 e 287/b të Kodit Penal.