Thirret në Prokurorinë e Tiranës gjyqtari Admir Thanza, ish anëtar i Gjykatës së Lartë. Ndaj Thanzës ka nisur një hetim nga Seksioni i Dekriminalizimit në organin e Akuzës pasi akuzohet për deklarim të rremë në formularin e vetëdeklarimit.
Thanza u përball muaj më parë me KPK e cila vendosi shkarkimin e tij pasi rezulton se ka kryer deklarim të rremë të pasurisë dhe nuk ka burime financiare të mjaftueshme për të justifikuar pasurinë e tij.
Gjithashtu gjyqtarit Thanza iu zbulua një dënim me burg dhe një gjobë në Itali për vjedhje. Në seancën dëgjimore gjykatësi u justifikua se vjedhjen e kishte bërë e motra por ai mori përsipër gjithçka për të mos lejuar që ajo të shkonte në burg e nipi të mbetej pa të ëmën. Gjyqtari edhe u përlot në seancën dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit teksa shfajësohej por tashmë ndaj tij ka nisur një hetim që pritet të zbardhë gjithçka.