Bushati dhe Xhafaj: Të ndalohet eksporti i armëve në vendet në konflikt, në 2019 operacion për shkatërrimin e tyre

0
516

Qeveria do të nisë një operacion në vitin 2019 për shkatërrimin e armëve. Kjo u bë e ditur dje nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, gjatë takimit të grupit koordinues për trafikimin e armëve të paligjshme në Ballkanin Perëndimor. “Janë ndëshkuar rastet e armëmbajtjeve pa leje, kjo ka çuar në ulje të ndjeshme të vrasjeve me armë zjarri. Këto shifra janë shumë më të ulëta edhe në këtë vit që jemi. Por përsëri me mesatare të ulët në krahasim me standardet e BE. Fushata ndërgjegjësuese për dorëzimin e armëve ka rezultuar përgjithësisht pozitive. Ministria e Brendshme është e angazhuar që në vitin 2019 të nisë operacionin për shkatërrimin e plotë të armëve të tepërta. Reformat e vëna në lëvizje kanë pikërisht këtë qëllim”, tha Xhafaj. Fokusi i takimit ishte ndalimi i eksportit të armëve në vendet në konflikt. Xhafaj deklaroi se përdorimi i armëve nga bandat dhe terroristët vijon të jetë shqetësim. “E konsideroj këtë nismë franko-gjermane pozitive. Keq përdorimi i armëve përbëjnë një rrezik serioz për të gjithë ne. Përdorimi i tyre nga organizatat kriminale e më pas nga celulat terroriste mbetet problematik. Shqetësimi i kalon kufijtë rajonalë. Vitet e fundit qeveria ka ndërmarrë një sërë masash për një kontroll më rigoroz të qarkullimit të armëve. Gjithashtu Shqipëria ka kërkuar një zgjidhje për mbajtjen pa leje apo trafikimin e armëve. Tragjedia kombëtare e vitit 1997 që zhvendosi në masë armë nga depot në duart e qytetarëve ka prodhuar e vazhdon të prodhojë fatkeqësi me humbje jetësh njerëzore. Është dashur një punë e jashtëzakonshme në vitet për të zbutur efektet e asaj çmendurie. Shqipëria ka arritur rezultate të mira në luftën kundër trafikimit të armëve”, tha ai. Në një linjë me të ishte dhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. Ai deklaroi se eksporti i armëve në vendet problematike duhet të ndalohet. “Besojmë se ekziston një kombinim faktorësh që çojnë në keqpërdorimin, trafikimin dhe transferimin e paligjshëm të armëve. Të gjitha vendet tona të ndalojnë rreptësisht eksportin e armëve të lehta në vendet në konflikt dhe të unifikojnë qëndrimet dhe bazën legjislative”, tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here