Bllokohet sërish vetingu në polici, vijojnë problemet me komisionerët, ndërhyn Kuvendi për analizimin e situatës

0
709

Bllokohet sërish procesi i vetingut në polici. Edhe pse u përfol se në shtator vetingu në polici do të fillonte zyrtarisht, pas problemeve që u hasën gjatë muajit korrik, duket se një gjë tillë vijon të mos jetë e mundur. Po afron fundi i shtatorit dhe deri më tani nuk ka asnjë lëvizje nga Ministria e Brendshme për të startuar procesin e vetingut. Por edhe pse janë tejkaluar për të dytën herë afatet e vendosura, gazeta mësoi se i gjithë problemi qëndron tek komisionerët e rivlerësimit. Sipas informacioneve, komisionerëve që do të merren me skanimin e efektivëve të policisë, u nevojiten dhe disa javë trajnim në lidhje me qëndrimin që do të mbajnë gjatë gjykimit të çështjeve. Sakaq, problem vijon të jetë gjithashtu edhe përgatitja e infrastrukturës për mbarëvajtjen e procesit. Por me mbylljen e këtyre dy problemeve, të cilat pritet të finalizohen brenda një periudhe të shkurtër, i pari që do t’i nënshtrohet sitës së vetingut do të jetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe vartësit e tij në radhët e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave. Për shkak të këtyre vonesave, sot do hyjë në lojë Kuvendi. Pak muaj më parë u ngrit një komision i posaçëm që do monitorojë vetingun në polici. Komisioni do të mblidhte sot në orën 10.30 për të analizuar situatën. Sa i takon vetingut, seancat për zyrtarët e policisë që do të skanohen do të jenë të hapura për publikun dhe pritet të zhvillohen në mjediset e Akademisë së Sigurisë. Komisioni i jashtëm i rivlerësimit, që do të kalojë fillimisht në sitë 300 zyrtarët e policisë më grada të larta, përbëhet nga 5 inspektorë të ILDKPKI-së, 5 pedagogë të Universitetit të Tiranës, si dhe 5 anëtarë që janë zgjedhur me konkurrim të hapur. Deri më tani, asnjë emër që do përbëjnë këtë komision nuk është publikuar nga Ministria e Brendshme, ndonëse afatet sipas ligjit, janë tejkaluar. Megjithatë, burime nga ky dikaster thonë se, mendohet që procesi të marri formë shumë shpejt, ndërsa përzgjedhja e anëtareve të komisionit të vlerësimit është bërë nga një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme, Shërbimi Informativ i Shtetit, Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here